Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që në vazhdimësi ushtroi dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve të tij

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

14:24 / 04 Dhjetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prokuroria Themelore në Gjilan, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit A.A, i cili në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

Sipas kërkesës së paraqitur në gjykatën e Gjilanit, ekziston dyshimi i bazuar që i dyshuari A.A, në kohë të papërcaktuar, deri më 1 dhjetor 2019, në shtëpinë familjare, në Viti, në vazhdimësi ka ushtruar dhunë në familje, te bashkëshortja dhe dy djemtë e tij, në atë mënyrë që i ka kanosur me fjalë, i ka keqtrajtuar herë pas here duke i rrahur, me ç’rast me veprimet e tij përpos që ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarve, ka shkaktuar dhembje, frikë dhe shqetësim të madh emocional tek të njëjtit.

Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Dhuna në familje’’ vepër kjo e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, më 1 dhjetor 2019, rreth orës 17:15 minuta, i dyshuari A.A, me dashje dhe me qëllim të dëmtimit të integritetit trupor, ka lënduar bashkëshorten e tij, të dëmtuarën V.A, ashtu që pas një mosmarrëveshje verbale, për motive xhelozie, në prani të fëmijëve, ia merr telefonin nga dora dhe me të e godet në kokë, duke i shkaktuar qarje të thellë, ku pastaj nuk e lejon djalin e tyre që ta dërgojë për tretman mjekësor, por e dërgon vetë, ku gjatë rrugës e kërcënon që të gënjejë se kinse ishte vetëlënduar, për çka edhe e dëmtuara detyrohet të gënjejë se kinse është lënduar në mobilje.

Në këtë mënyrë, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, të KPRK-së.

Monitoruese: Ronita Halimi