Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka filluar sot gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin e njohur në publik si rasti “Veteranët”.
Në seancën e sotme, gjyqtarja e rastit Nushe Kuka Mekaj, fillimisht ka bërë të ditur se është bërë bashkimi i procedurës penale ndaj të akuzuarve Agim Çeku dhe të tjerët, me procedurën penale të të akuzuarve Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, e cila ishte veçuar me datë 14 mars 2019, për shkak të mungesës së këtyre dy të fundit në seancën e shqyrtimit fillestar.
Gjyqtarja Nushe Kuka Mekaj, me fillimin e seancës mori aktvendim me të cilin tha se kufizohet fotografimi, regjistrimi televiziv në pjesët kur jepet dëshmia e dëshmitarëve dhe sipas saj ndalohet raportim i dëshmisë së dëshmitarëve, poashtu i tërhiqet vërejtja monitoruesve që emrat e tyre ti publikojnë vetëm me iniciale.
Pas kësaj fjalën hyrëse e ka dhënë prokurori i shtetit Valdet Gashi, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.
Prokurori i shtetit, Valdet Gashi, tha se, arsyeja pse sot jemi këtu është sepse të akuzuarit gjatë procedurës së verifikimit të statusit të veteranit nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, dhe si pasojë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës,i cili çdo ditë e më shumë po rritet.
Gashi, tha se përgjegjësia penale e të akuzuarve provohet edhe nga deklarata që Agim Çeku ka thënë gjatë mbledhjeve të këtij komisioni.
Ndryshe ka deklaruar avokati mbrojtës i të akuzuarit Agim Çeku, Ramë Gashi i cili ka thënë se pas përfundimit të këtij procesi sigurt dhe qartë do të vërtetohet se i mbrojturi i tij, nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet në aktakuzë.
“Gjatë administrimit të provave do të vërtetohet se Qeveria e Republikës së Kosovës, me datë 1 qershor 2016, ka marrë vendim mbi aprovimin e raportit të komisionit, do të vërtetohet se akuza nuk ka prova materiale në formë regjistri apo statistike zyrtare për numrin e veteranëve në nivel të vendit dhe akuza nuk do të jetë në gjendje ta provojë numrin e saktë të veteranëve të luftës në Kosovë si të paligjshëm”, ka thënë avokati Gashi.
Ndërsa i akuzuar Shukri Buja, në fjalën hyrëse tha se arsyeja e mosdeklarimit para prokurorit Blakaj ka qenë se e quan jo profesional dhe të anueshëm politikisht.
“Pafajësinë time do ta argumentoj përmes dëshmive dhe dëshmitarëve të cilët do ti propozoj gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë i akuzuari Shukri Buja.
Sipas aktakuzës së përgaditur nga ish-prokurori Blakaj, personat e përfshirë në këtë aktakuzë, akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Të akuzuar sipas aktakuzës janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton Drejtësia Sot.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pretendon se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.
PSRK, njëherit kishte kërkuar nga gjykata ndaljen e përkohshme të pensioneve për “veteranët e rrejshme”. Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë, me datë 26.03.2019, e kishte refuzuar këtë kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Gjykata e Apelit, në gusht të këtij viti, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve lidhur me kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës.
Sipas kësaj gjykate, aktakuza e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, ka prova të mjaftueshme , të pranueshme në aspektin procedural , për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
Apeli poashtu kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.
Drejtësia Sot vazhdimisht ka ndjekur këtë rast
Monitoruar nga Zanë BUÇINCA
Lajmet në fokus