Në Gjykatën Themelore në Prizren, ish-Drejtori i Urbanizmit, Nijazi Ibrahim Kryeziu, i lindur më 18.08.1977 në Prizren, përsëri kërkoi hedhjen e aktakuzës.
Ish-Kryesuesi i Asamblesë së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, i cili në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare, raporton Drejtësia Sot.
Drejtësia Sot raporton që në shqyrtimin e dytë, i pandehuri Kryeziu, përmes mbrojtësit të tij, avokat Arben Shala, deklaroi që aktakuza e Prokurorisë në Prizren ndaj klientit të tij, të hudhet poshtë si e pa bazuar.
Gjithashtu sipas avokatit Shala, aktakuza ndaj klientit të tij nuk ka mbështetje në prova dhe se klienti i tij ka vepruar në bazë të ligjeve në fuqi. Sipas tij, ekspertiza e datës 29 gusht 2017, që është përfshirë në aktakuzë nuk është bërë për të mbrojturin tim, por është bërë për një dikaster tjetër, dhe si tillë nuk është e pranueshme.
Avokati Arben Shala, shtoi që të gjitha analizat dhe verifikimet janë bërë për Drejtorin e Administratës së Përgjithshme të Komunës së Prizrenit, përkatësisht për ish-drejtorin Ilir Baldedaj ku i njëjti edhe është dënuar, e jo për të mbrojturin tim.
Në anën tjetër, prokurori i shtetit Mehdi Sefa deklaroi që aktakuza është përpiluar sipas ligjit dhe se ekspertiza ekzistuese vërteton shkeljet e të pandehurit.
“Në shkresat e lëndës ekziston ekspertiza financiare ku rezulton se këtu i akuzuari Nijazi Kryeziu, ka lidhur kontratë në cilësi të drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit me TV Opinion, në periudhën 1 janar 2015-31 dhjetor 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj, me shumë të përgjithshme prej 7200 euro, ndërsa nga fletëpagesat rezulton që më 16 prill 2015 është paguar shuma prej 1200 euro, si dhe një pagesë prej 200 euro”, ka thënë prokurori Sefaj.
Prokurori Sefa shtoi se kjo ekspertizë është zbatuar edhe ndaj zyrtarëve tjerë të lartë të Komunës së Prizrenit, siç janë: Ilir Baldedaj, Hasan Hasani, Ertan Simitçi dhe tani Nijazi Kryeziu. Kësisoj, Auditori i Përgjithshëm në Komunën e Prizrenit, eksperti financiar ka pasur për obligim që përveç drejtorit të Administratës, Ilir Baldedaj, të vërej se a ka pasur edhe shkelje të tjera të ngjashme nga drejtorët tjerë.
Kësisoj, gjyqtarja Raima Elezi pas dëgjimit të palëve,ka thënë se nuk do të marrë vendim rreth kërkesës për hudhjen e aktakuzës deri në sigurimin e ekspertizës financiare.
Gjyqtarja Elezi kërkoi nga prokurori Mehdi Sefa që brenda 10 ditësh të siguroj ekspertizën financiare, lidhur me pagesat e kryera nga i pandehuri Nijazi Kryeziu.
Më pas Gjyqtarja Elezi, e ka ndërprerë seancën e së enjtes, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar më 18 dhjetor 2019, në ora 09:00.
Ndryshe, në aktakuzë, thuhet se i pandehuri Nijazi Kryeziu, në periudhën kohore Janar – Dhjetor të vitit 2015, në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV Opinion, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj.
Kështu që, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, lidh kontratë për emetimin e spoteve reklamuese në sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ashtu që me TV Opinion vlera totale e kontratës arrin shumën 7200 €.
Me këto veprime, i pandehuri Nijazi Kryeziu, ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Drejtësia Sot njofton se Nijazi Kryziu është edhe njëri ndër te akuzuarit në rastin “Pronto” bashkë me Adem Grabovcin, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerët, i cili po akuzohet të ketë kryer veprën penale shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.
Monitorues: Lorik KABASHI
Lajmet në fokus