Në Gjykatën Themelore të Gjilanit, ka vazhuar seanca gjyqësore ndaj ndihmës referentit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, personit me iniciale B.Rr i akuzuar për dy vepra penale: “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti”, raporton Drejtësia Sot.
Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtari Zyhdi Haziri, u procedua me shiqimin e një videoinçizimi ku shihet i akuzuari duke u arrestuar nga policia, pasi kishte pranuar 10 euro nga i demtuari A.S, pastaj me marrjen në pyetje të të akuzuarit B.Rr, dhe fjalën përfundimtare të palëve.
Pas shiqimit të videoinçizimit i akuzuari B,Rr, gjatë dhënies së mbrojtjes deklaroi se nuk e pranon fajësinë për këto vepra penale, duke pohuar se ka bërë gabim që ka komunikuar e ka dalur të takohet me të dëmtuarin A.S, si dhe që i ka marrë parat në vlerë prej 10 eurosh nga ai.
“ Kom gabu që i mora parat, ai vetëm m’i lshoi në tavolinë e unë pasi dola nga lokali pas tij, Policia veç më arrestori”, pohoi i akuzuari B.Rr.
“Kemi kontaktu e kemi bisedu me u taku njëherë tjetër, por nuk patëm mundur me dal e pastaj në ditën kritike kur dolem ai mi la 10 euro në tavolinë, e iku se gjoja kishte rast urgjent në emergjencë, e parat i la sa për me pi kafen”, tha në fund i akuzuari B.Rr.
Për fund, gjykimi vazhdoi me fjalën përfundimtare të palëve, ku prokurorja Merrushe Llugiqi, i kërkoi gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor e ta dënoi me dënim meritor sipas ligjit, kurse mbrojtja dhe i akuzuari kërkuan lirim nga akuza në mungesë të provave.
Sipas aktakuzës së Prokuorisë Themelore të Prishtinës, B.Rr, akuzohet se duke qenë ndihmës referent i zyrës për ekzekutime në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka keqpërdorur pozitën e tij ku me qëllim të përfitimit pasuror, me dashje, ka kërkuar dhe marrë ryshfet nga personi me emrin A.S, i cili ishte i akuzuar në një lëndë penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Aktakuza sqaron se, i pandehuri B.Rr, paraprakisht kishte kontaktuar me telefon dhe ishte takuar dy herë me të dëmtuarin A.S, ku ia kishte marrë 20 euro, me premtimin që do të bisedoi me gjyqtarin e lëndës për ta liruar atë nga akuza.
Drejtësia Sot, njofton se hetimet për këtë rast janë ndërrmarë që nga data 21.02.2019 dhe në bazë të tyre është ngritur aktakuzë më datë: 08.04.2019.
Vendimi për këtë rast do të shpallet më 16 dhjetor 2019, ora 9:00.
Drejtësia Sot, ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast:
Monitorues, Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus