Gjykata Supreme ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Pejës dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, duke i’a kthyer çështjen gjykatës së shkallës së parë për rigjykim, raporton “Drejtësia Sot”.
Në aktvendimin e Gjykatës Supreme thuhet se gjykata e shkallës së parë është e përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që gjykata nuk ka dhënë arsyetim për mosmiratimin e propozimeve të palës mbrojtëse. “Veçanërisht nuk është dhënë arsye përkitazi më mos ftesën në cilësinë e dëshmitares H.K, me komunikimet përkatësisht informatën e pranuar përmes viberit nga një qytetare anonime nga Gjermania dhe këto informacione me siguri se do të mund të ndriçonin këtë çështje penale. Arsyetimi se kjo kërkesë ka qenë e përsëritur përkitazi më dëgjimin e kësaj dëshmitare nuk e liron gjykatën që të arsyetoj refuzimin e propozimit për dëgjimin e kësaj dëshmitare”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e aktvendimit të marrë nga Gjykata Supreme.
Kujtojmë, së Gjykata Themelore e Pejës, me aktgjykimin e datës 25.03.2019, të akuzuarin Naser Pajazitaj, e kishte shpallur fajtor për vrasjen të rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, dhe të njëjtin e kishte gjykuar më dënim burgimi të përjetshëm.
Ndërsa me datë 20.06.2019, edhe Gjykata e Apelit, e kishte vërtetuar këtë aktgjykim të Gjykatës së shkallës së parë.
Vlen të përmendet se ky rast ishte kthyer edhe njëherë në rigjykim nga Gjykata e Apelit në vitin 2018, pasi që gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar të akuzuarin Pajazitaj vetëm për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar ta armëve”, dhe e kishte liruar për veprën penale të “Vrasjes së rëndë”.
Sipas aktakuzës Naser Pajazitaj, akuzohej se më datë 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta Donjeta Pajazitaj. Aktakuza më pas sqaronte veprimet e të akuzuarit Pajazitaj, i cili e kishte marrë në veturën e tij tani të ndjerën e cila po shkonte në punë, dhe e kishte dërguar në bjeshkët e Strellcit, me pas e kishte privuar nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, ndërsa për ti mbuluar gjurmët të njëjtën e kishte mbuluar më disa drunjë. Sipas këtyre veprimeve aktakuza e ngarkonte të akuzuarin Pajazitaj për dy vepra penale atë të “Vrasjes së rëndë” dhe “Mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Monitoruese: Blerta KELMENDI, Selvije MORINA
Lajmet në fokus