Gjykata refuzon pranimin e fajësisë ndaj njërit nga të pandehurit për transport dhe posedim të “marihuanës” në Prizren

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga

13:56 / 02 Dhjetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të pandehurit F.K, E.H dhe L.N. nga Prizreni, dolën para gjykatës në akuzat për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nga data 20.02.2019 deri më datën 02.03.2019, së bashku janë marrë me blerje, me transport dhe kanë poseduar me qëllim të shitjes substanca narkotike të llojit marihuanë.

Drejtësia Sot, raporton se në shqyrtimin fillestar të mbajtur sot, pasi që prokurorja Ervehe Gashi lexoi aktakuzën, i pandehuri E.H. pranoi fajësinë për veprën penale, ndërsa dy të pandehurit tjerë F.K. dhe L.N. mohuan fajësinë për veprën penale sipas aktakuzës.

Këtë pranim të fajësisë, gjyqtarja Raima Elezi e refuzoi, pas propozimit dhe rekomandimit edhe të prokurores Gashi.

Sipas gjyqtares Elezi, në këtë çështje si të pandehur janë tre persona si bashkëkryerës dhe të gjitha provat janë të ndërlidhura, ndërsa vet pranimi i fajësisë do të pengonte zhvillimin e procedurës penale.

Drejtësia Sot, njofton se në këtë shqyrtim, mbrojtësi i të pandehurit F.K., avokate Ermira Gavazaj- Gashi dhe mbrojtësi i të pandehurit L.N., avokat Bestar Kolgeci, kërkuan nga gjykata që ndaj të pandehurve të ndërpritet masa e paraburgimit dhe kjo masë të zëvendësohet me ndonjë masë më të butë.

Sipas avokatëve Gavazaj- Gutaj dhe Kolgeci, ndaj F.K dhe L.N. kanë pushuar të gjitha shkaqet e përcaktuara me ligj, pra, nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë, nuk ekziston rrezik i ikjes dhe nuk ka rrezik që të pandehurit mund të ndikojnë në rrjedhën e procedurës penale.

Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit E.H., avokat Skender Morina, kërkoi nga gjykata që E.H. ta liroj nga masa e arrestit shtëpiak dhe gjykata sipas vlerësimit atë ta zëvendësoj me masën e paraqitjes në stacion policor ose ta lë të lirë.

Kështu, gjyqtarja Raima Elezi ua refuzoj propozimet e të gjithë mbrojtësve, për zëvendësim të paraburgimit, përkatësisht arrestit shtëpiak, me ndonjë masë më të butë për sigurimin e pranisë së të pandehurit në gjykatë.

Në fund, gjyqtarja Elezi vendosi që deri më datë 06.01.2020 kur u caktua shqyrtimi i dytë, të pandehurit përmes mbrojtësve të tyre, mund të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës apo t’i kundërshtojnë provat e propozuara në aktakuzë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më datë 19.11.2019, të pandehurit F.K, E.H dhe L.N. nga Prizreni, së bashku kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. (Drejtësia Sot).

 

Monitorues: Uran ZOGAJ