Gjykata e Pejës dënon me 6 muaj burgim, zyrtarin që i shkaktoi dëm komunës së Pejës më shumë se 18.000 euro

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

15:27 / 02 Dhjetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata e Pejës sot ka marrë aktgjykim dënues ndaj Haki Kartallozit, i cili akuzohej për keqpërdorim detyre.

Sipas këtij aktgjykimi, Kartallozi dënohet me 6 muaj burgim efektiv, raporton “Drejtësia Sot”.

Gjithashtu ai obligohet edhe në pagesën e shpenzimeve procedurale në shumë prej 100 (njëqind) euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, ndërsa në emër të  kompensimit të viktimave shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro.

Kryetarja e trupit gjykues Lumturije Muhaxheri, në fund e njoftoi të akuzuarin Kartallozi, që me pëlqimin e tij dënimi me burgim mund ti kthehet në dënim më gjobë në shumën prej 5000 (pesëmijë) euro, mirëpo i njëjti nuk u deklarua pa u konsultuar më avokatin e tij, me ç’ rast edhe mbeti ta njoftonte gjykatën për këtë.

Në bazë të këtij aktgjykimi, palët e dëmtuara udhëzohen në kontest civil.

Aktakuza e ngarkonte të akuzuarin Haki Kartallozi, që prej muajit qershor 2016, e gjerë me datë 18 tetor 2016, përmes tejkalimit të autorizimeve të tij ligjore dhe qasjes së kundërligjshme në programin për tatimet në pronë ka arritur ti shlyej obligimet tatimore të 8 personave. Me këto veprime ai akuzohet se i ka sjellë vetës përfitim pasuror të kundërligjshëm e njëkohësisht i ka shkaktuar komunës së Pejës dëm në shumën prej 18.275.98 euro.

Sipas aktakuzës që posedon “Drejtësia Sot”, Haki Kartallozi, akuzohet  se përmes shfrytëzimit të programit “Free Keylooger” që shërben për zbulimin e fjalëkalimeve, ka marrë fjalëkalimin e kompjuterëve  të dy zyrtarëve të komunës së Pejës. Pas kësaj ai, përmes programit “Protax” që shërben për pagesat e tatimit në pronë, futet në sistemin kompjuterik të zyrtarëve të komunës dhe arrin të shlyej tatimin në pronë të disa tatimpaguesve duke i shkaktuar dëm komunës së Pejës.

Lidhur me këtë rast Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët

Monitoruese: Blerta KELMENDI