Dështon gjykimi ndaj kryetarit të komunës së Istogut Haki Rugova

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Selvije Morina

11:43 / 10 Dhjetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këtë të martë në Gjykatën e Pejës, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj kryetarit të komunës së Istogut Haki Rugova, i akuzuar për vepër penale të konflikt interesi.

Mungesa e  prokurorit të rastit Ali Uka, bëri që të mos plotësohen kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor. I njëjti përmes një parashtrese kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të merr pjesë sot në shqyrtimin gjyqësor për shkak të angazhimeve shtesë andaj edhe ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore.

Përveç prokurorit i pranishëm nuk ishte as i akuzuari Rugova, dhe për mungesën e të njëjtit gjykata nuk ka dhënë sqarim.

Më pas kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj, ka konstatuar se me aktvendim shtyhen seancën e sotme gjyqësore për shkak të mos plotësimit të kushteve dhe caktoi seancën e radhës me datë 21 janar 2020, raporton “Drejtësia Sot’.

Aktakuza e ngarkon te akuzuarin Haki Rugova, se me datë 1 gusht 2014, në cilësinë e personit zyrtar-kryetar i komunës së Istogut, nënshkruan kontratë për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, me kompaninë “Ma-Con” shpk, drejtor i sëcilës ka qenë vëllau i tij Gani Rugova.

Sipas aktakuzës në momentin e lidhjes së kontratës ndërmjet Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k, për kryerjen e punëve ndërtimore çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro. Me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

Edhe më herët Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast

Monitoruese: Selvije MORINA