Dështon gjykimi ndaj ish – Drejtorit për Financa në Komunën e Prizrenit, refuzohet ekspertiza e prokurorisë

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

13:50 / 10 Dhjetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Sot në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj ish Drejtorit për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit Ertan (Rexhep) Simitçi, i lindur më 13.06.1985, si dhe ish ushtruesit të detyrës në Drejtorin për Ekonomi dhe Financa Zenel (Beqir) Ahmetaj, i lindur më 04.04.1962.

Shkas për mos mbajtjen e seancës ka qenë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Zenel Ahmetaj, avokatit Pjetër Përgjoka, i cili me datë 04.12.2019 me shkresë kishte kërkuar shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor, me arsyetimin se në të njëjtën ditë, më herët është caktuar një seancë tjetër gjyqësore, raporton Drejtësia Sot.

Gjithashtu, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Ajser Skenderi, i ka dorëzuar prokurorit të shtetit aktvendimin e datës 21 tetor 2019, në të cilin vendim ekspertiza e cila është provë është shpallur e pa pranueshme dhe është veçuar nga shkresat e lëndës.

Ndaj këtij vendimi, prokurori i rasti Mehdi Sefa, ka të drejtën e ankesës. Prandaj edhe nuk u caktua data e seancës së ardhshme, deri kur të vendoset për ankesën e prokurorit.

Trupi gjykues ekspertizën që si provë e ka shpallur të papranueshme e ka arsyetuar duke thënë se “Prokurori i shtetit nxjerr vendim në të cilin i paraqet ekspertit pyetje specifike që janë të rëndësishme për fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit” ndërsa i pandehuri dhe mbrojtësi i tij mund të kundërshtojnë përzgjedhjen e ekspertit te gjyqtari.

Në rastin konkret sipas vendimit të gjykatës, në shkresa nuk ekziston vendimi i nxjerrë nga ana e prokurorit për caktimin e ekspertit financiar për të pandehurit në rastin konkret.

Drejtësia Sot raporton se në seancën e datës 21 tetor 2019, prokurori i rastit nuk e ka mohuar faktin e mos nxjerrjes së vendimit për angazhimin e ekspertit financiar, pasiqë gjatë kësaj seance prokurori ka pohuar se ekspertiza është përpiluar për lëndë tjetër.

I pandehuri Ertan Simitçi akuzohet se në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorë pasurinë publike.

Qëllimi i këtyre veprimeve ishte që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik: TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, për transmetimin e spoteve reklamuese, rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën e Prizrenit.

I njëjti ka lidhur kontratë me TV Opinion, TV Besa dhe me TV Prizreni, ku tre televizionet arrin shumën prej 11.800 euro në vit

Sipas biografisë të publikuar në ueb faqen e Komunës së Prizrenit, Simitçi pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin 2014 është emëruar për herë të parë drejtor i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Prizrenit.

Nga data 16 janar 2018 Ertan Simitçi është emëruar për herë të dytë në Pozitën e drejtorit në Drejtorinë e  Ekonomisë dhe Financave në qeverisjen e Mytaher Haskukës, raporton “ Drejtësia Sot”.

Kurse i pandehuri  Zenel Ahmetaj, në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren, në cilësinë e ushtruesit të detyrës të Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorë pasurinë publike.

Kështu, ai me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik: TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, lidh kontrata për transmetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës së Prizrenit.

Në këtë mënyrë, Zenel Ahmetaj, lidh kontrata me TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, për tre televizionet arrin shumën prej 11.800 euro në vit

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit Ertan Simitçi dhe Zenel Ahmetaj, kanë përmbushur elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas KPRK-së. Drejtësia Sot.

Monitorues: Lorik KABASHI & Uran ZOGAJ