Dëshmojnë rojet e KEK-ut në gjykimin ndaj zyrtarëve të këtij institucioni për përvetësim të ngjitësve për shirita të thëngjillit

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

15:38 / 06 Dhjetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykimi ndaj tre zyrtarëve të KEK-ut të akuzuar për përvetësim në detyrë, ka vazhduar sot në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë me dëgjimin e tre dëshmitarëve tjerë, raporton Drejtësia Sot.

Ejup (Muharrem) Grajqevcin, Fahri (Adem) Fejzullahu nga Vushtrria dhe Vehbi (Latif) Dragusha nga Prishtina, po akuzohen se gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në KEK, kanë marrë 245 kilogramë ngjitës për shirita të thëngjillit, dhe me këtë rast i kanë shkaktuar dëm kompanisë në të cilën ende punojnë.

Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtarja Violeta Namani, është vazhduar me procedimin e provave ku në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar tre roje të objektit të KEK-ut.

R.M., K.H. dhe M.M. kanë dhënë dëshminë e tyre mbi njohurit e ngjarjes kur është vjedhur ngjitësi për shirita të thëngjillit për të cilin bëhet fjalë.

Të tre dëshmitarët, kanë deklaruar se natën kritike kanë punuar si roje ne objektin e KEK-ut por jo në pikën që gjindet afër depos ku është marrë ky material.

Sipas tyre, në atë natë nuk kanë parë ndonjë lëvizje të jashtëzakonshme dhe se cdo gjë ka shkuar në rrjedhën e normales.

Pas dëshmisë së tyre, në fund të seancës, gjyqtarja ka aprovuar propozimin e të akuzuarit Fahri Fejzullahu qe në seancën e ardhshme të dëgjohet dëshmitari B.I..

Përndryshe, prokuroria po akuzon Dragushën dhe Grajqevcin se derisa ishin në kryerje të detyrës së tyre zyrtare në KEK, si depoist të materialit në kuadër të Depos së Materialit për Servisim të Divizionit të Thëngjillit, së bashku me Fejzullahun si dhënës i materialit, kanë marrë 245 kilogramë ngjitës për shirita të thëngjillit, duke i shkaktuar kështu Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dëm në shumën prej 5.115 euro.

Lidhur me këtë rast Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët

Monitorues: Rinon Arifi