Arrin parashkrimi absolut për njërin nga të akuzuarit në rastin e zyrtarëve të AKPPM-së, lirohet nga akuza me kërkesë të mbrojtjes

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Leotrim Himaj

16:14 / 04 Dhjetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pas kthimit në rigjykim nga Gjykata e Apelit, biznesmeni Edon Hajrullaga është liruar nga akuza për veprën penale “Prodhim i ndaluar”, pasiqë ka arritur afati i parashkrimit absolut i ndjekjes penale.

Këtë e ka kërkuar mbrojtja e të akuzuarit në fjalë, avokatja Leonora Dervishaj-Pacolli, duke aluduar se sipas aktakuzës vepra penale është kryer në periudhën 19.11.2012 deri 07.08.2013, por sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kjo vepër penale është e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në 3 vite burgim, andaj deri në këtë kohë kanë kaluar mbi gjastë vite nga koha e kryerjes së veprës penale dhe deri më tani ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Në maj 2018, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast për herë të dytë në rigjykim, me arsyetimin se aktgjykimi i ankimuar ishte përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384, paragrafi 1, nënparagrafi 12, e lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në shkurt 2018, Dushin dhe Kolgecin i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të njëjtëve u kishte shqiptuar dënime me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh për secilin.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me 23.02.2018, i ka rishpallur fajtor zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Bersan Kolgeci dhe Ilir Dushi, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe biznesmeni Edon Hajrullaga, i akuzuar për prodhim të ndaluar.

Ndërsa, Haki Ejupi është liruar nga akuza për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Bersan Kolgeci dhe Ilir Dushi, janë dënuar edhe një herë më nga 6 muaj burgim efektiv, Edon Hajrullaga, është dënuar me gjobë në shumën prej 10.000 euro, ndërsa Haki Ejupi, është liruar nga akuza.

Kolgecit dhe Dushit, dënimi me burg mund tu zëvendësohet me gjobë nëse të dënuarit pajtohen, ndërsa Hajrullagës, dënimi me gjobë mund t’i shndërrohet në dënim me burg, nëse nuk e paguan gjobën.

Të akuzuarit janë detyruar t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të kësaj gjykate, si dhe në emër të paushallit gjyqësor secili veç e veç nga 200 euro.

Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pretendonte se më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e krye shefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kjo vepër, sipas kësaj aktakuze, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast për operatorin ekonomik “Prima Pharm”.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori ka lëshuar një rekomandim më 7 gusht 2013, me të cilin ka rekomanduar drejtorin e administratës që t’i bëjë përgatitjet dhe t’i lëshohen “Prima Pharm-it”, banderolat për barna.

Këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435.124 banderola, për 18 produkte medicinale. Kështu këtij subjekti, i është lejuar që barnat e importuara nga Kina në mars të vitit 2013, t’i plasojë në treg, edhe pse sipas këtij akti akuzues ky rekomandim nuk është dashur që t’i lëshohet.

Arsyeja për mos lëshimin e këtij rekomandimi për “Prima Pharm” ishte mungesa e certifikatës së Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP).

Monitoruar nga Leutrim Himaj