Zyrtarët komunal të Fushë Kosovës para gjykatës për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Nita Kusari

14:07 / 25 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

U mbajt seanca fillestare ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të deytyrës zyrtare Mevlude S. Nishori, Jakup R. Ternava, Ejup S. Gërguri dhe Liridona A. Mustafa-Sadiku.

Në seancën e sotme gjyqësore, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit, Rafet Halimi, të  akuzuarit Ternava, Gerguri dhe Mustafa-Sadiku u deklaruan të pafajshëm për veprën penale e cila i’u vihet në barrë.

Ndërsa, e akuzuara Nishori, u deklarua fajtore. E njejta tha para gjykatës se ka qenë në lajthitje dhe se është bazuar në një kontratë përshkruese e cila ka qenë shumë e vjetër.

Mirëpo, gjyqtari i rastit Hamdi Ibrahimi, tha se nuk mund ta konsiderojë këtë deklarim si pranim të fajësisë.

Poashtu, në përfundim të seancës gjyqtari Ibrahimi, i udhëzoi palët e pakënaqura që në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh, mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të prove.

Ndryshe, në këtë seancë gjyqtari i rastit kishte kritika për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, pasi që e njejta sipas tij, kishte mungesa të të dhënave në të.

Sipas aktakuzës së siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë më datë 30 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Mevlude Nishori, Jakup Ternava, Ejup Gërguri dhe Liridona Mustafa- Sadiku, për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pika I-rë e aktakuzës e ngarkon të pandehurën Mevlude Nishori, që me datë 13.03.2016, në cilësinë e personit zyrtar si zyrtare ligjore për regjistrimin e hipotekave në Komunën e Fushë Kosovës, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin e saj zyrtar ka tejkaluar kompetencat e saj.  E njejta jashtë kompetencave të saja ligjore ka përpiluar aktvendimin me nr. Prot 160/2016, me të cilin ka revokuar vendimin me numër nr.91/2008 të datës 19.06.2008.

Me këtë veprim ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

Sipas pikës II të dispozitivit të aktakuzës i pandehurin Jakup Teranva, i cili më datë 18.03.2019, në cilësinë e personit zyrtar Drejtor i Drejtorartit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë Kosovës, ka shfryëtzuar pozitën apo autoritetin zyrtar ku kishte nënshkruar Aktvendimin e lartëcekur.

Me këtë veprim ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

Pika III e dispozitivit të aktakuzës të pandehurin Ejup Gërguri, e ngarkon poashtu me veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, i cili në kohën kur punonte si referent i ndërtimeve në Kadastër në Komunën e Fushë Kosovës, ka shfrytëzuar pozitën zyrtare ashtu që ka lëshuar certifikatë mbi pronën me nr.05-951-2281/2013, duke e kthyer në gjendjen e mëparshme me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete apo personnin tjetër me ç’rast i ka shkaktuar dëm të dëmtuarve S.K, B.K, Z.K, Xh.K, N.K, F.K, dhe M.K.

Ndërsa, e pandehura Liridona Mustafa-Sadiku, në cilësinë e zyrtares ligjor në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Fushë Kosovës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e saj zyrtar, ashtu që në bazë të vendimit me nr.160/2019, të datës 18.03.2016, ka ndërruar operatorin kadastral, duke mos përmbushur detyrën e saj zyrtare.

Me këtë veprim ka kryer veprën penale Keqpërdorim I pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

 

Monitourar nga Nita Kusari