Tentimi për eksport në Zvicër të mbi 130 kilogramë marihuanë: Prokurori nuk kryen obligimin ligjor

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga

14:53 / 27 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prizren, dështoi fillimi i shqyrtimit fillestar kundër të pandehurve me iniciale N.O., U.S. dhe A.S. nga Gjakova.

Drejtësia Sot, raporton se N.O., U.S. dhe A.S. po akuzohen që më datë 24 dhe 28 tetor 2017, në brendi të 22 dyerve, kishin paketuar 315 qese najloni, me mbi 130 kilogramë marihuanë, duke tentuar eksportin drejt Zvicrës.

Sot, në Gjykatën e Prizrenit, ishte caktuar që të pandehurit N.O., U.S. dhe A.S. të deklarohen lidhur me fajësinë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikokotrope dhe analoge” në bashkëkryerje, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Mirëpo, pasi që prokurori i shtetit Metush Biraj kishte dështuar të përmbush obligimin ligjor, një gjë e tillë nuk ishte e mundur.

Sipas ligjit, prokurori ka pas obligim që më së largu deri sot, t’ia dorëzoj të pandehurve të gjitha provat dhe materialet tjera të përfshira në aktakuzë, gjë të cilën prokurori Biraj vetëm pjesërisht e realizoi.

Drejtësia Sot, njofton që mbrojtësi i të pandehurit N.O., avokat Teki Bokshi, deklaroi se në seancën e sotme gjyqësore, prokurori Metush Biraj vetëm pjesërisht na ka dorëzuar disa prova dhe materiale, ndërsa nuk janë dorëzuar provat tjera të propozuara në aktakuzë.

Duke mos dashur që kjo procedurë penale të zgjatet, kërkojmë nga kryetari i trupit gjykues që shqyrtimi fillestar të shtyhet për një ditë tjetër dhe të obligohet prokurori, që të na dorëzoj edhe materialet tjera, në mënyrë që të përgatisim mbrojtjen me të pandehurin N.O., shtoi avokati Bokshi.

Këtë propozim e mbështetën edhe të pandehurit U.S dhe A.S., me mbrojtësit e tyre, avokat Senat Elshani dhe Leutrim Syla.

Madje, propozimin e avokatit Bokshi nuk e kundërshtoi as prokurori Metush Biraj, duke arsyetuar se për shkak të ngarkesës me punë dhe për shkaqe objektive, nuk ka arritur që brenda afatit ta përmbush obligimin që ia ka ngarkuar ligji.

Drejtësia Sot, njofton që gjyqtari Artan Sejrani, aprovoi propozimin e palës mbrojtëse, duke caktuar që shqyrtimi fillestar të mbahet më datë 13 dhjetor 2019 në ora 09:30.

Gjithashtu, gjyqtari Sejrani, obligoi prokurorin Metush Biraj, që para datës 13 dhjetor 2019, të pandehurve t’ia dorëzoj të gjitha provat dhe materialet e nevojshme sipas ligjit.

Është me rëndësi të theksohet që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më datë 29 tetor 2019, të pandehurit N.O., U.S. dhe A.S., pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me Ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose substanca analoge, me qëllim që të shpërndanin dhe shisnin ose të ofronin për shitje.

Kështu, më datë 24.10.2017 dhe 28.10.2017, në orët e paradites, të pandehurit duke përdorur dy taksi të ndryshëm nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh – Komuna e Gjakovës, kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.” në Prizren dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj gjithsej 22 dyer të drurit, ku në brendësinë e tyre kanë paketuar 315 qese najloni në total 130 kilogram e 649.32 gram substancë narkotike të llojit “marihuanë”, me qëllim të eksportimit në shtetin e Zvicrës.

Me këto veprime, të pandehurit N.O., U.S. dhe A.S., kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikokotrope dhe analoge” në bashkëkryerje, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. (Drejtësia Sot).

 

Monitorues: Uran ZOGAJ & Lorik KABASHI