Shpallet fajtor nga Gjykata e Pejës, i akuzuari që tentoi edhe bashkëshorten ta bënte me status të veteranit

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

12:30 / 20 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore e Pejës sot shpalli fajtor, të akuzuarin Demë Deskaj, që tentoi të legalizonte përmbajtje së rrejshme.

Pas leximi të aktakuzës nga prokurorja Lumturije Vuçetaj, i akuzuari Deskaj,  e pranoi fajësinë që në mënyrë të kundërligjshme tentoi të vë në lajthim organin kompetent për përftimin e statusit të veteranit për bashkëshorten e tij.

Këtë pranim fajësie e mbështeti prokurorja Vuçetaj  dhe i njëjti u aprovua nga gjykata, me ç’rast edhe u shpallë aktgjykimi dënues ndaj të akuzuarit.

Gjyqtari Shaqë Curri, e dënoi të akuzuarin Deskaj,  me 6 muaj burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se i njëjti brenda periudhës 1 vjeçare nuk kryen vepër tjetër penale.

Sipas këtij aktgjykimi si dënim plotësues të akuzuarit i është shqiptuar edhe urdhërin për publikimin e aktgjykimit.

Aktakuza e ngarkonte Demë (Ahmet) Deskaj, i lindur me 11.07.1982, se me datë 28.03.2018, në Departamentin e Familjeve Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, zyra në Pejë, tenton të vë në lajthim organin kompetent, përmes paraqitjes së dokumentit të falsifikuar (certifikatën për statusin e veteranit) si dokument i vërtetë, me qëllim që ta regjistroj bashkëshorten e tij këtu dëshmitaren N.D, në regjistrin e veteranëve luftëtar, në mënyrë që të përfitoj pagën mujore prej 170 euro.

Monitoruese: Blerta KELMENDI