Refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës e ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren për mbindërtimin pa leje në zonën “Qylhan”

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga

12:06 / 25 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Prizren, refuzoi kërkesën për hedhje të aktakuzës të parashtruar nga ish-inspektori Nexhmedin Qani Musliu, i lindur më 07.03.1973 në fshatin Zaplluxhë të Dragashit.

Ish-inspektori i ndërtimit Musliu, po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Drejtësia Sot, raporton se në shqyrtimin e dytë, i pandehuri Nexhmedin Musliu, përmes mbrojtësit të tij, avokat Gent Gjini, kërkoi hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtoi provat e përfshira në aktakuzë.

Avokati Gjini, deklaroi se aktakuza është e pabazuar dhe nuk plotëson elementin qenësor lidhur me dyshimin e bazuar mirë për kryerjen e veprës penale nga i pandehuri Musliu, nuk paraqitet elementi i dashjes dhe dëmi që shkaktohet nga kjo vepër penale.

Gjithashtu, avokati Gent Gjini, theksoi se për objektin e theksuar në aktakuzë në zonën “Qylhan”, përgjegjës ka  qenë një inspektor tjetër nga Drejtoria e Inspektoratit në Prizren, e jo inspektori Nexhmedin Musliu.

Andaj, pasi që të vlerësoj kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, gjykata duhet të merr vendim për hedhjen e aktakuzës konkrete, përfundoi avokati Gent Gjini.

Ish-inspektori Nexhmedin Musliu deklaroi se lidhur me objektin e theksuar në aktakuzë, atë nuk ka pas mundësi ta inspektoj, pasi i njëjti ka qenë i përfunduar dhe nuk mund të bënte ndonjë veprim inspektues si inspektor i ndërtimit në Prizren. Ai shtoi se kjo aktakuzë është krejtësisht e pabazuar, tendencioze dhe qëllim keqe, që ka ndikuar edhe në shëndetin tim.

Në anën tjetër, prokurorja Ervehe Gashi deklaroi se kërkesa e palës mbrojtëse për hedhje të aktakuzës është e pabazuar. Ajo shtoi se aktakuza është e bazuar në ligj dhe mbështetet në prova të pranueshme sipas dispozitave ligjore.

Në aktakuzë, përshkruhet qartë se i pandehuri Nexhemdin Musliu, ka qenë i autorizuar të kryej veprimet inspektuese në objektin kontestues në zonën “Qylhan”, dhe duke mos ndërmarrë këto veprime, ai ka kryer veprën penale me mosveprim. Gjithashtu, ka prova se i pandehuri përtej dyshimit të bazuar mirë ka kryer këtë vepër dhe se me veprimet e tij apo mosveprimet e tij, ka shkaktuar dëmin material ndaj Komunës së Prizrenit dhe shkeljen e ligjit, arsyetoi prokurorja Gashi.

Andaj, prokurorja Ervehe Gashi kërkoi nga gjykata që me vendim të refuzoj kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, dhe të caktoj shqyrtimin kryesor gjyqësor.

Pas kësaj, gjyqtarja Raima Elezi me vendim refuzoi kërkesën për hedhje të aktakuzë dhe kundërshtimin e provave. Shqyrtimi gjyqësor do të caktohet pasi që të vendoset lidhur me vendimin për refuzimin e kërkesës për hedhje të aktakuzës, pasi që avokati Gent Gjini paralajmëroi ankesë ndaj këtij vendimi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të datës 25.09.2019, Inspektori Nexhmedin Musliu ka vepruar në atë mënyrë që derisa ka pasur përgjegjësi të inspektimit të ndërtimeve në rrugën e “Muhaxherëve”, nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori M.P. Ky investitor, duke  ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga organi kompetent komunal – Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor e Komunës së Prizrenit.

Me këtë rast, investitorit M.P., i ka mundësuar ndërtimin e një kati dhe mospagimin e taksave komunale, ndërsa Komunës së Prizrenit i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këto veprime, Inspektori komunal i ndërtimit Nexhmedin Musliu ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. (Drejtësia Sot).

Kujtojmë se ditë më parë, Prokuroria Speciale, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-Inspektorit Nexhmedin Musliu dhe disa zyrtarëve tjerë në Komunën e Prizrenit. Aktakuza përshkruan keqpërdorimin e detyrës zyrtare lidhur me ndërtimet pa leje në Parkun Nacional “Sharri“ në Prevallë.

Gjithashtu, Nexhmedin Musliu, po gjykohet nga Gjykata e Prizrenit edhe në dy raste tjera të ndryshme, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Drejtësia Sot mëson që ndaj Nexhmedin Musliut është duke u zhvilluar procedura paraprake- hetimore edhe për dy raste të tjera, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa, Prokuroria në Prizren, së shpejti pritet t’i ngrit aktakuzat edhe për këto dy raste. Kjo do të çonte në gjashtë numrin e aktakuzave kundër ish- inspektorit Nexhmedin Musliu, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Paraprakisht Drejtësia Sot ka raportuar lidhje me këtë rast

Monitorues: Uran ZOGAJ