Rasti Pronto, dëshmitari Sejdi Hoxha mohon ndikimin për emrime në ndërmarrjen “Infarkos”

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Leotrim Himaj

14:42 / 01 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në seancën e mbajtur sot në rastin e njohur “Pronto”, ka dëshmuar ish-kryesuesi i bordit të drejtorëve në “Infrakos” Sejdi Hoxha, i cili aktualisht është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas.

 

Gjatë dëshmisë së tij ai ka mohuar që Adem Grabovci dhe Besim Beqaj, të kenë ndikuar lidhur me ndonjë nga emërimet që në vitin 2011 janë bërë në ndërmarrjen publike“Infrakos”, gjatë kohës sa ka qenë kryesues i bordit të kësaj ndërmarrje.

 

Vlen të ceket se Hoxha më parë ka qenë edhe drejtor gjeneral i Postës së Kosovës ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare të viti 2019, ishte kandidat për deputet nga radhët e PDK-së.

Në seancën e sotme ai tregoi për mënyrën dhe procedurat e zgjedhjes së kyeshefit ekzekutiv dhe anëtarëve të bordit drejtues të kësaj ndërmarrje. Në lidhje më këtë ai tha se çdo konkurs ishte publik dhe i shpallur nga Qeveria e Kosovës me vendim të Kryeministrit të Kosovës.

Tutje ai ka vazhduar me marrjen në pytje nga avokati Besnik Berisha, për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarve të bordit drejtues, dhe në lidhje me këtë është përgjigjur se Bordi i Drejtorëve të ndërmarrjes ka marrë vendim në një prej mbledhjet e caktuara që të hap konkursin publik për zgjedhjen e pozitës së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, pastaj pas përfundimit të afatit ligjor të konkurrencës së kandidatëve dhe pas vlerësimit të secilit kandidat nga secili anëtar i Bordit ka ardhur deri te përzgjedhja e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes. Kriteret janë të përcaktuara qartë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe Bordi kur ka shpallur konkursin me rekomandim edhe të administratës së ndërmarrjes ka vendosur kriteret ligjore të cilat i parasheh Ligji për Ndërmarrjet Publike.

Seanca ka vazhduar me deklarimin e dëshmitarit Hoxha i cili shtoi se asnjëher nuk ka kontaktuar personalisht me Adem Grabovcin dhe Besim Beqaj, për shpalljen, anulimin, rishpalljen, e çfarëdo konkursi që lidhet në këtë ndërmarrje për periudhën kohore për të cilën akuzohen të pandehurit në fjalë.

Poashtu në lidhje më këtë konkurs ai shtoi se nuk ka pasur asnjë lloj interferimi nga ish-ministri Beqaj, në lidhje me përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të “Infrokos”-it.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 03.04 2018, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës, raporton Drejtësia Sot.

Në këtë rast janë të akuzuar, ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, ish-deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive të kundërligjshme personave të cilët kanë konkuruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Monitoruar nga Leutrim Himaj