Propozohet rikonstruim i vendit të ngjarjes, në rastin e vrasjes së rëndë në Ferizaj

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga

15:25 / 25 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Propozohet rikonstruim i vendit të ngjarjes, në gjykimin ndaj të akuzuarit për veprat penale vrasje të rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Albert F. Ramadani.

Të akuzuar në këtë çështje penale janë dhe Fadil S. Ramadani, Artan F. Ramadani dhe Argjend F. Ramadani për shkak të veprës penale pjesëmarrje në rrahje, secili veç e veç dhe Driton I. Krasniqi për shkak të veprave penale pjesëmarrje në rrahje dhe mashtrim.

Në fillim të seancës u bë leximi i provave materiale, të cilat janë administruar gjatë shqyrtimeve gjyqësore. Poashtu në seancën e sotme, ishte paraparë që të bëhet shikimi i video inçizimit të CD-ve nga vendi i ngjarjes mirëpo për shkak të mungesës së kushteve teknike.

Prokurori i Shtetit propozoi që të ftohet eksperti mjeko – ligjor që e ka përpiluar raportin e autopsisë, në mënyrë që të sqaroi disa rrethana që kanë të bëjnë me veprën penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ramadani, avokat Ymer Huruglica, propozoi që të ftohet eksperti i balistikës si dhe që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes. Shtoi se në rikonstruim duhet të jenë të pranishëm eksperti i balistikës, eksperti mjeko-ligjor si dhe dëshmitarët Pajtim Tërstena e Bekim Salihu, me arsyetimin që të përcaktohet saktësisht pozita e secilit nga dëshmitarët dhe pjesëmarrësve tjerë në vend të ngjarjes.

Ky propozim i mbrojtësit Huruglica, u kundërshtua nga Prokurori Maloku, i njëjti tha se nuk e sheh si të arsyeshme që të dëgjohet eksperti i balistikës, për shkak se nuk është kontestuese lloji i armës që është përdor dhe në video inçizim vërehet qartë se kush e ka përdorur armën.

Ndërsa për rikonstruim të vendit të ngjarjes, Prokurori deklaroi se për momentin nuk ekziston ndonjë rrethanë e paqartë që të realizohet rikonstruim, përderisa ekziston video inçizimi i kamerava nga vendi i ngjarjes.

Mbrojtësi Huruglica, lidhur me kundërshtimet e Prokurorit, theksoi se eksperti i balistikës duhet të ftohet për shkak se arma me të cilën ka shkrepur i akuzuari Albert, ka qenë lloj i veçantë i armës, njëkohësisht edhe armë e vjetër si dhe sipas raportit fillestar vdekja ka ardhur si pasojë e së shkrepurës së dytë, e cila ka ardhur nga pakujdesia. Andaj e konsiderojmë të domosdoshme që të vërtetohet se si ka ardhur deri te shkrepja e dytë.

Trupi gjykues lidhur me propozimet e mbrojtësit të të akuzuarit, mori vendim që të aprovoi propozimin e Prokurorit të Shtetit që të dëgjohet në cilësi të ekspertit mjeko – ligjor Naim Uka, i cili ka përpiluar raportin mjeko – ligjor ndërsa sa i përket propozimeve të mbrojtësve, trupi gjykues do të vendos në seancën e rradhës.

Për shkak se ende nuk është bërë shikimi i video inçizimeve nga vendi i ngjarjes, për shkak të mungesës së kushteve teknike, seanca e sotme ndërpritet dhe e njëjta caktohet me datë 26 dhjetor 2019 me fillim nga 09:30.

Për këtë rast Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët

Monitorues: Mentor Buzhala