Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore e Prishtinës dështojnë në kualifikimin e veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Leotrim Himaj

11:27 / 19 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Mbi kualifikim e mangët ligjor të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar të akuzuarin A.M.

Kjo pasi i njejti është gjykuar në bazë të aktakuzës së paqartë të Prokurorisë Speciale, pasiqë ajo nuk përcakton kualifikim e paragrafit të saktë të veprës penale si dhe mënyrën e kryerjës së kësaj vepre.

Sipas kësaj aktakuze i pandehuri A.M., në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht të Drejtorit të Departamentit Ligjor dhe Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), në emër të institucionit të lartëcekur, duke shftytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje direkte, me veprim dhe me qëllim që të përfitoj dobi material kompania aktuale publike “Trainkos”, dhe njëkohësisht të shkaktimit të dëmit material për kompaninë “Railtrans”, i tejkalon kompetencat e tij, si dhe nuk i përmbush detyrat zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 92, paragrafi 12.4 dhe 17.1 të Ligjit për Hekudhurat Nr. 04/L-036, bënë revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për kompaninë “Railtrans” L.L.C.

Siç shihet, në dispozitiv të kësaj aktakuze është thënë se i pandehuri i ka tejkaluar kompetencat e tij si dhe nuk i ka përmbush detyrat zyrtare.

Në bazë të nenit 422 vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, kryhet kur zyrtari publik nuk i përmbush apo i tejkalon kompetencat e tij, dhe jo te dyja së bashku, sepse një gjë e tillë përveçse e pamundur është edhe në kundërshtim me vetë nenin 422 para 1, sepse moskryerja dhe tejkalimi janë përjashtuese në raport me njëra tjetrën, dhe se nuk ka asnjë mundësi që me një veprim të vetëm siç është rasti në fjalë, zyrtari publik edhe të mos i përmbush detyrat zyrtare edhe t’i tejkaloj ato njëkohësisht.

Andaj në këtë pikë nuk është e qartë se si A.M., në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin veprim, ka arritur që  njëkohësisht t’i tejkaloj kompetencat dhe detyrat e tij të punës dhe të mos i përmbush ato.

Këto dy institucione kanë dështuar të bëjnë kualifikim e veprës penale në paragraf të caktuar, ashtu siç e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Kjo pasi neni 422 i këtij Kodi, përfshin gjithsej dy paragraf të ndarë, dhe se cilësimi i veprës penale në rast se ekziston, duhet të bëhet përveçse në nenin e lartëcekur edhe në paragrafin gjegjës të caktuar, sepse një gjë e tillë është e karakterit imperativ, e jo sikurse në rastin konkret vetëm në nenin 422 pa asnjë paragraf.

Gjithashtu sikurse Prokuroria edhe Gjykata gabimisht janë thirrur edhe në dispozitat e Ligjit të Hekurudhave Nr. 04/L-063, saktësisht nenin 92. Kjo për faktin se ky nen ka të bëjë me kushtet për marrje të licencës hekurudhore, e jo për revokim të saj, çështje kjo kontestuese në këtë rast. Revokimin e licencës e rregullon neni 93 i ligjit, nen ky që në asnjë moment nuk ju ka referuar asnjëri nga institucionet e lartcekura.

Mbi këtë mangësi të kualifikimit ligjor të veprës penale dhe mënyrës së kryerjes, Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht trupi gjykues në krye më gjyqtaren Shadije Gërguri ka marrë aktgjykimin dënues, me të cilin aktgjykim e ka dënuar A.M. në kohëzgjatje prej një vit burgim efektiv.

Në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimin e lartëcekur kundër A.M, në një rast të ngjashëm (rasti PN.nr.1045/2018) Gjykata e Apelit kishte anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili kishte refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës sepse i njëjti ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për arsye se kualifikimi i veprës penale ishte bërë vetëm në bazë të nenit 339 (në rastin e A.M., neni 422), e jo edhe të paragrafëve të tij. Në këtë rast Gjykata e Apelit kishte konstatuar se Gjykata e shkallës së parë, në mungesë të paragrafëve të caktuar vendos në favor të pandehurit, e jo sikurse në rastin ndaj të A.M.

Në rastet kur Prokuroria Speciale dhe të gjitha prokuroritë tjera të Republikës së Kosovës, hasin në vështirësi dhe nuk mund të caktojnë se shkelja e dyshuar në cilën kategori ligjore hynë, ngre pikëpyetje nëse dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale është përmbushur dhe se ka bazë të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës.

Monitoruar nga Leutrim Himaj