Prokuroria heq dorë nga ndjekja penale ndaj dy ish zyrtarëve doganorë, të cilët akuzoheshin për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga

18:18 / 19 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Është ndryshuar aktakuza në çështjen penale ndaj ish zyrtarëve doganor Ramadan Latifaj, Enliat Shala dhe Isa Shiti të cilët akuzoheshin për veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe komunikim i paautorizuar i sekretit tregtar.

Në seancën e sotme, në të cilën ishte paraparë që të jepej fjala përfundimtare, Prokurori i Shtetit Rasim Maloku ka ndryshuar aktakuzën, duke deklaruar se nga provat që janë administruar në shqyrtimet gjyqësore në këtë çështje penale, ka ndryshuar gjendja faktike nga aktakuza fillestare andaj në pajtim me dispozitat ligjore, është bërë ndryshimi i aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, Maloku është tërhequr nga ndjekja penale ndaj dy të akuzuarëve Enliat Shala dhe Isa Shiti për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare poashtu ndaj të akuzuarit Shala është tërhequr nga ndjekja penale edhe për veprën penale komunikim i paautorizuar i sekretit tregtar.

Ndaj të akuzuarit Ramadan Latifaj vlejnë akuzat e njëjta si në aktakuzën fillestare ndërsa i akuzuari Shiti me aktakuzën e ndryshuar akuzohet vetëm për veprën penale komunikim i paautorizuar i sekretit tregtar.

Sipas aktakuzës fillestare, të njëjtit akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe komunikim i paautorizuar i sekretit tregtar në bashkëkryerje.

Ata akuzoheshin se në vitin 2016, në Degën Rajonale të Doganës në Ferizaj, si persona zyrtar, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, kishin hapur sistemin kompjuterik Asyeuda dhe kishin printuar Deklaratën Unike Doganore (DUD), të importuesit “MAKCAR”, me pronar Besnik Mustafa, e cila ishte publikuar në mjetet e informimit me qëllim të dëmtimit të ndërmarrjes dhe pronarit të saj, me ç’rast më këto veprime kishin kryer veprat penale keqpërdrimi i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe komunikim i paautorizuar i sekretit tregtar në bashkëkryerje.

Pas krijimit të këtyre rrethanave dhe mungesës së mbrojtësit së të akuzuarit Isa Shiti, avokat Flamur Troni, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ibrahim Idrizi nxjerri vendim që të ndërprejë seancën që të u jep kohë palëve në procedurë për përgaditjen e fjalëve përfundimtare për aktakuzën e re dhe e njëjta u caktua me datë 20 nëntor 2019.

Edhe më herët Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast

Monitorues: Mentor Buzhala