Një vit burgim, për ish-inspektorin e ndërtimit në Komunën e Shtimes për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga

12:37 / 26 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur fajtor ish-inspektorin e ndërtimit në Komunën e Shtimes, Taulant Salihaj, i cili akuzohej për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare.

I njëjti, është dënuar me një vit burgim efektiv, ku të njëjtit do të i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, i akuzuari është i obliguar poashtu që të i kthejë të dëmtuarit shumën prej 1058 euro.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Taulant Salihaj, për shkak se në vitin 2017 dhe 2018,  në Shtime, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor ndërtimi, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete, ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet, se i akuzuari kishte marrë nga i dëmtuari Haxhi Shabani, shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së parë dhe 580 euro për përpilimin e shtëpisë së dytë, me qëllim që t’ia rregullojë dokumentet ndërtimore.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, Salihaj kishte lejuar që të i ndërton dy shtëpitë, pa u pajisur me leje, duke mos i përmbush detyrën e tij zyrtare edhe pse detyra e tij ishte për t’i ndaluar ndërtimet pa leje, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm në vlerën prej 1080 euro, me të cilat veprime ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Monitorues: Mentor Buzhala