Mungesa e një anëtari të trupit gjykues ka bërë që në Gjykatën Themelore të Gjilanit, të mos mbahet sot gjykimi ndaj Sali (Shahin) Kqikut, ish – drejtor i Prokurimit në komunën e Gjilanit, i akuzuar për veprën: “asgjësim apo fshehje e materialit arkivor” raporton Drejtësia Sot.
Me të filluar seanca gjyqësore, kryetari i trupit gjykues gjyqtari Zyhdi Haziri, njoftoi se anëtari i trupit gjykues Gazmend Ajvazi, gjendet me detyrë zyrtare në Prishtinë dhe për këtë shkak seanca e sotme nuk mund të zhvillohet.
Gjyqtari Haziri, në dakordim me prokurorin e Shtetit dhe mbrojtjen e të akuzuarit vendosi që seanca për këtë rast të vazhdoi neser nga ora 14 e 30 min, ku do të procedohet me marrjen në pyetje të të akuzuarit Salih Kqiku.
Kujtojmë se sipas aktakuzës së Prokurorisë në Gjilan, Kqiku akuzohet për veprën penale “asgjësim apo fshehje e materialit arkivor sepse në kohën sa ishte drejtor i Drejtorisë së Prokurimit në Gjilan, duke qenë në këtë pozitë kishte vendosur dhe lejuar një OJQ që të punonte në zyrat e arkivit të kësaj drejtorie.
Aktakuza sqaron se gjatë momentit kur policia e kishte bastisur këtë zyre, kishin munguar dosjet tenderuese me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse të kompanisë “Eco Higjiena” në Gjilan. Sipas aktakuzës, në këtë rast rezulton se është bërë asgjësimi i këtyre dy dokumenteve.
Drejtësia Sot njofton se Salih Kqiku për këtë rast, ka qenë i akuzuar për dy vepra penale dhe atë: “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrar” nga neni 422 par.1 dhe “Asgjësim apo fshehje e materialit arkivor” nga neni 416 të KPRK-së.
Gjykata Themelore në Gjilan më datë 19.11.2018, e kishte dënuar Sali Kqikun me 7 muaj burg me kusht që brenda dy viteve mos të kryej vepër të re penale, pasi e ka gjetur fajtor në veprën e asgjësimit apo fshehjes se materialit arkivor ndërsa e pati shpallur të pafajshëm atë për veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Mirëpo Gjykata e Apelit, pasi e kishte vërtetuar aktgjykimin sa i përket pikës 1 të aktakuzës ku i pandehuri është liruar nga akuza, kurse për pikën 2, për veprën asgjësim i materialit arkivor, rastin e ka kthyer në rivendosje.
Në fund theksojmë se neni 416 i Kodit Penal të Kosovës, i vitit 2013, për kryerjen e veprës “Asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor” përcakton se kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.
Drejtësia SOT ka monitoruar edhe mëparë këtë rast
Monitorues, Vullnet Bugaqku / Ronita Halimi
Lajmet në fokus