08 Nëntor 2019
Në Gjykatën Themelore të Gjilanit, u mbajtë seanca e parë e rigjykimit, ndaj të akuzuarit S.R nga Gjilani, i akuzuar për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, raporton Drejtësia Sot.
Në séancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtari Azizi Shaqiri, u procedua me leximin e aktakuzës, deklarimin e të pandehurit rreth fajësisë dhe marrjen në pyetje të shtatë personave, të ftuar në cilësinë e dëshmitarëve nga ana e prokurorisë.
Kështu pasi u konstatua si e lexuar aktakuza e prokurorisë, i akuzuari S.R, përsëri deklaroi se mohon fajësinë për veprën penale që ngarkohet.
Pas këtij momenti gjykimi vazhdoi me shtjellimin e provave, ku u morrën në pyetje shtatë dëshmitarë të ftuar nga ana e Prokurorisë.
Kështu, dëshmitarët: Sh.S, M.H, S.SH, N.SH,B.I, XH.J- deklaruan se mbesin në tërësi pranë deklaratave të tyre të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor dhe se nuk kanë për të shtuar diçka konkrete lidhur me dëshminë e tyre.
Ndërsa dëshmitari i shtatë, F.H, gjatë dëshmisë së tij, duke iu përgjigjur pyetjeve të palëve në procedure, kryesisht dëshmoi rreth aspektit se a lejohej të shiteshin pajiset e kompanisë Eco Higjiena pa vendim dhe miratim të bordit të kësaj kompanie.
F.H, që në atë kohë kishte qenë zëvendës kryetar i bordit të drejtorëve të kësaj kompanie, tha ndër të tjera se nuk e di dhe nuk ka pasur dijeni që janë realizuar këto shitje pa dijeninë e bordit.
Në fund ai u ballafaqua me dy vendime të lëshuar nga ana bordit të kompanisë Eco Higjiena të cilat ishin të nënshkruara nga ana e tij, por ndaj të cilave ai tha se nuk i kujtohet mire se kush e ka rekomanduar që t’i nënshkruaj ato.
Kujtojmë se, Gjykata Themelore në Gjilan, më 15 nëntor 2018, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza S. R, për veprën që akuzohej.
Mirëpo, kundër këtij vendimi të Themelores, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte bërë Prokuroria Themelore në Gjilan. E, Gjykata e Apelit, më 16 maj 2019, e kishte aprovuar ankesën e prokurorisë, duke e kthyer rastin në rigjykim dhe vendosje.
Sipas Apelit, aktgjykimi i Themelores është i paqëndrueshëm, pasi i njëjti përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 12 të KPPK-së.
Njoftojmë se sipas aktakuzës së Prokurorisë në Gjilan, S.R, akuzohet se për kohën sa ka qenë në pozitën e anëtarit të bordit të kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e zyrtar, duke shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16,249.30 euro.
Sipas aktakuzës, pretendohet se e ka bërë duke formuar komisionin për shitjen e aseteve me vendim të falsifikuar dhe pa i respektuar procedurat e shpalljes së ankandit publik. Më tutje prokuroria pretendon se asetet e lartpërmendura, më 6 janar të vitit 2012, janë vlerësuar në kontabilitet në shumën prej 80,576.83 euro.
Në aktakuzë ndër të tjera thuhet se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale-ekonomike, në këtë mënyrë që kompaninë “Eco Higjiena” e ka dëmtuar për 64,327.53 euro.
Monitorues, Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus