Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, është dhënë fjala përfundimtare, në rastin ku për keqpërdorim të detyrës po akuzohet, ish-inspektori i ndërtimit Bashkim (Vebi) Krasniqi, i lindur më 27.01.1962, raporton Drejtësia Sot.
Prokurori Metush Biraj, në fjalën përfundimtare, deklaroi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në seancën e kaluar, ku pati deklaruar që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Driton Shehu, deklaroi se me asnjë nga provat propozuara dhe të administruara nuk është vërtetuar dëmi i shkaktuar Komunës së Prizrenit, e aq më pak të ketë ekzistuar qëllimi i shkaktimit të dëmit.
Shehu gjithashtu deklaroi, nga të gjitha deklarimet e dëshmitarëve si dhe nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor, me asnjë veprim nuk provohet që ish-inspektori Bashkim Krasniqi, ka ndërmarrë veprime inkriminuese të cilat janë theksuar në aktakuzë.
Duhet theksuar së në këtë shqyrtim nuk morri pjesë dhe nuk iu përgjigj gjykatës përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, i cili ftesën nga gjykata e kishte pranuar në mënyrë të rregullt.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Ajser Skenderi, pas fjalës përfundimtare deklaroi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 18 nëntor 2019 në ora 09:30.
Ndryshe sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren se në cilësinë e personit zyrtar, inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.
Në aktakuzë, thuhet se përkundër njoftimit të fundit nr. 17-354-49/6 të lëshuar më 20 tetor 2014, nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, adresuar investitorit Xh.B pronar i kompleksit hotelier – shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” që gjenden në anën e djathtë të rrugës Prizren – Nashec, i bazuar në konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të dhunshëm të lëshuar më 2 maj 2014, Bashkim Krasniqi në cilësinë e Inspektorit nuk e ka bërë ekzekutimin më 24 tetor 2014 edhe pas kësaj date, edhe pse i njëjti ka qenë i detyruar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.(Drejtësia Sot)
Edhe më herët Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast
Monitorues: Lorik KABASHI
Lajmet në fokus