Togeri i Stacionit Policor në Podujevë, Fadil Surkishi, ka dhënë mbrojtjen e tij në gjykim e tij lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Surkishi akuzohet se në cilësinë e togerit dhe shefit të operativës në Stacionin Policor në Podujevë, kishte ndikuar që të ndryshonte dy raporte të aksidentit në trafik, një në fshatin Dumnicë dhe një në Podujevë, raporton “Drejtësia Sot”.
Gjatë mbrojtjes së tij, i akuzuari deklaroi se ai gjatë periudhës 2013-2014, kishte punuar në cilësin e shefit të operativës në Stacionin Policor në Podujevë dhe pas rekomandimit të komandantit të këtij stacioni, Isak Ejupi, lidhur me aksidentin e 18 shtatorit 2013, që kishte ndodhur në fshatin Dumnicë, kishte asistuar në përpilimin e kallëzimit penal, së bashku me zyrtarin policor, Bexhet Gashi.
Por, siç tha ai, komandanti kishte kërkuar nga Gashi edhe ndryshimin e raportit policor të aksidentit që kishte ndodhur atë ditë.
“Lidhur me këtë jam njoftu shumë vonë, pasi komandanti i stacionit Isak Ejupi, kishte urdhëruar Bexhet Gashi që ta ndryshonte këtë raport dhe i njëjti ka kërkuar nga unë që t’i asistojë Bexhetit në përpilimin e raportit. E kam pytë komandantin se çka me vepru, por ka thënë që i kam tregu Bexhetit që të ndërrohen pozitat e pjesëmarrjeve në trafik pa dhënë arsye tjera. E kam pytë se pse me i ndihmu, por përgjigja ka qenë shumë naive pasi Behxheti nuk din me përdorë kompjuterin. Unë i kam asistu Behxhetit që të shkruj kallëzimin penal dhe kam shkru vetëm çka ai ka diktu, ndërsa raportin e ka bërë vetë. Unë këtë e kam bërë pasi nuk kam pasur njohuri për lidhjen e aksidentit”, tha Surkishi.
Tutje gjatë mbrojtes së tij i akuzuari tregoi edhe për aksidentin që kishte ndodhur në rrugën “Skenderbeu”, në Podujevë, më 14 shkurt 2014, në të cilën ishte përfshirë bashkëshorti i një zyrtareje policore të stacionit policor në Podujevë.
Surkishi, lidhur me këtë rast deklaroi pasi kishte pranuar ankesë nga Xhevat Avdiu, i cili kishte shprehur shqetësimin e tij se zyrtarët policorë e kishin lënë vetëm atë fajtor për aksidentin.
Ai kishte analizuar raportin dhe së bashku me komandantin Isak Ejupi, dhe zëvendëskomandanten e stacionit Valbona Blakqori, sipas tij, kishin ardhur në konstatim se raporti policor i aksidentit duhet të ndryshohet, duke bërë kontribuues të aksidentit, përpos Avdiun edhe Ekrem Hotin.
Seanca ka vazhduar me marrjen në pytje të akuzuarit nga prokurorja e rastit Merushe Llugiqi, e cila ndër të tjera e pyti të pandehurin për format e ankesave nga palët lidhur me raportet e akisdenteve se si mund të jenë ato dhe në çfarë forme. Kurse i pandehuri është përgjigjur se ankesat mund të bëhen në form verbale por edhe me shkrim.
Në fund të seancës ai shtoi se krejt kjo ngjarje ka ndodh si fabrikim i Komandantit të Stacionit Policor në Podujevë Isak Ejupit dhe zyrtarit policor Fisnik Veseli për shkak të raporteve jo të mira në jetën e tyre private me Xhavit Avdiun.
Ndërsa fjala përfundimtare në këtë çëshjte penale do të jepet këtë pasdite duke filluar nga ora 13:30.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Fadil Surkishit, më 16 nëntor 2017, me dyshimin se i njëjti kishte kryer në vazhdimësi veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” neni 422 paragrafi 1 i KPRK-së.
Surkishi dyshohet se kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim përfitimi të dobisë materiale për veten apo dikë tjetër.
Sipas aktakuzës, Surkishi në cilësinë e togerit dhe shefit të operativës në Stacionin Policor në Komunën e Podujevës, kishte ndikuar në dy raste të aksidentit në trafik, një në fshatin Dumnicë dhe një në Podujevë.
Surkishi, sipas prokurorisë, me qëllim kishte ndryshuar detaje rreth aksidentit dhe vendit të ngjarjes, përkundër faktit se dëshmitari Behxhet Gashi, nuk kishte qenë i pajtimit që ai ta bëj një gjë të tillë.
Surkishi pretendohet se kishte ndikuar edhe te zyrtari Fisnik Veseli, duke e detyruar të njëjtin të bëj ndryshime në raport dhe kallëzim penal, mirëpo Veseli, sipas aktakuzës, kishte përpiluar po ashtu raportin e oficerit dhe kishte treguar arsyet e ndryshimeve në raportin policor dhe kallëzimin penal
Për këtë rast edhe më herët ka raportuar Drejtësia Sot
Monitoruar nga Leutrim Himaj
Lajmet në fokus