Në Gjykatën Themelore në Prizren, dha mbrojtjen e tij ish-Kryetari i Suharekës, Sali Rrustem Asllanaj, i lindur më 04.05.1961 në Suharekë, për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Përveç Sali Asllanajt, të akuzuar në këtë rast janë edhe ish-Drejtor i Arsimit në Komunë të Suharekës, Sherif Sejfulla Berisha, i lindur më 14.04.1956 në Suharekë dhe ish-Drejtori i SHFMU “Bajram Curri”, Milazim Abedin Hajdari, i lindur më 20.04.1966 në fshatin Kasterc të Suharekës.
Sipas aktakuzës, ata po gjykohen për keqpërdorimin lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së mirëkuptimit për bashkëfinancim të datës 08 tetor 2014, ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope”, raporton “Drejtësia Sot”.
Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Sali Asllanaj deklaroi se përgjegjës për implementimin e marrëveshjes ishte OJQ “Kosovo Hope”, ndërsa mbikëqyrjen e zbatimit të saj ka pas për detyrë ta bëjë Drejtoria e Arsimit në Suharekë, përmes drejtorëve të shkollave.
Gjithashtu, ish-Kryetari Asllanaj tha se pasi që Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kthyer në procedurë të ri tenderimit transportin e nxënësve, situata është komplikuar, pasi që ishte koha në prag të fillimit të mësimit dhe nxënësit mbetnin pa transport. Në këtë situatë, Asllanaj tha se ka qenë i detyruar që të përfshihet si Kryetar, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për transport të nxënësve.
Sipas ish-Kryetarit Asllanaj, të vetmit qëllim e kishte që nxënësit në Komunën e Suharekës të mos mbeteshin pa transport. Prandaj, për këtë arsye së bashku me Drejtorin e Arsimit, Shefin e Prokurimit, Zyrtarin Ligjor, kanë ardhur në përfundim që të lidhin marrëveshjen për bashkëfinancim me OJQ “Kosovo Hope” për transportin e nxënësve dhe që objektiv të vetëm kishin që të gjendet kompania që ka ofertë më të volitshme, shtoi Sali Asllanaj.
Më tutje, ish-Drejtor i Arsimit, Sherif Berisha deklaroi se me Milazim Hajdarin ka biseduar përmes telefonit, të cilit i ka thënë se kushdo që ka bërë bartjen e nxënësve, duhet lëshuar raport me shkrim, që në këtë rast i është lëshuar operatorit ekonomik “Shqiproni Tours”. Edhe pse drejtorët nuk kanë pas të drejtë të lëshojnë raporte, kjo është bërë për arsye se “Shqiproni Tours” kishte marrëveshje gojore me operatorin tjetër ekonomik “Sava Tours”, e cila ka pas marrëveshje me “Kosovo Hope”, shtoi Sherif Berisha.
Ish-Drejtori Berisha tha se për këtë bashkëpunim ndërmjet këtyre dy operatorëve ekonomik, ka qenë në dijeni edhe vet ish-Kryetari Sali Asllanaj dhe se marrëveshja ka dështuar për shkak të çmimit. Po ashtu, Berisha deklaroi se përmbushjen e obligimit ndaj “Shqiproni Tours” është dashur ta kryej “Saba Tours” ose OJQ “Kosovo Hope”, e jo një gjë të tillë ta bëjë Komuna e Suharekës.
Pastaj, Ish-Drejtori i SHFMU “Bajram Curri”, Milazim Hajdari tha se me kontratën e punës, nuk theksohet obligimi për mbikëqyrjen e kontratës për transportin e nxënësve dhe se nuk ka asnjë vendim me të cilin unë jam obliguar për të menaxhuar kontratën për bartje të nxënësve.
Ish-Drejtori Milazim Hajdari, deklaroi se në zyre të tij, ka ardhur disa herë përfaqësuesi i operatorit ekonomik “Shqiproni Tours”, i cili ka kërkuar që t’i lëshoj raport me shkrim për transportin e nxënësve. Mirëpo, një gjë të tillë nuk e kishte bërë, pasi që marrëveshje për transport të nxënësve me “Kosovo Hope” kishte “Saba Tours”, e jo “Shqiproni Tours”, shtoi Hajdari.
Në vazhdim të mbrojtjes së tij, i akuzuari Milazim Hajdari theksoi se përfaqësuesi i “Shqiproni Tours” e kishte thirrur përmes telefonit dhe i kishte thënë që t’i lëshohet raporti me shkrim për transportin e nxënësve, pasi që ish-Drejtori Sherif Berisha e thotë një gjë të tillë. Ndërsa, përmes telefonit, Sherif Berisha i kishte thënë atij që t’i lëshohet raporti me shkrim kujtdo që ka bërë transportin për bartjen e nxënësve dhe pas kësaj i është lëshuar raporti “Shqiproni Tours”, që më parë për të njëjtën çështje i është lëshuar edhe “Saba Tours”, përfundoi Milazim Hajdari.
Vlen të theksohet se sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të datës 22 tetor 2018, ish-kryetari i Komunës së Suharekës Sali Asllanaj, ish-drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunë të Suharekës Sherif Berisha dhe ish-drejtori i shkollës “Bajram Curri” Milazim Hajdari, akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. (Drejtësia Sot).
Lidhur me këtë rast Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët
Monitorues: Uran ZOGAJ
Lajmet në fokus