Inspektori i Kamenicës i akuzuar për marrje ryshfeti dënohet përsëri me 15 muaj burgim dhe 300 euro gjobë

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Vullnet Bugaqku

11:41 / 18 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore e Gjilanit, e ka dënuar  për here të tretë rishtazi me denim prej 15 muaj burgim dhe 300 euro gjobë, Sadullah Dërmakun –  inspektor i komunikacionit në Kamenicë, i akuzuar për veprën “Marrje ryshfeti”, njofton Drejtësia Sot.

 

Në vendimin që u shpall sot nga gjyqtari Zyhdi Haziri,  ndër të tjera thuhet se të akuzuarit në fjalë i ndalohet edhe ushtrimi i funksionit zyrtar për 2 vite pas mbajtjes së dënimit.

 

Po ashtu ndaj të akuzuarit u shqiptua edhe shuma prej 50 euro gjobë për shpenzimet e procedures.

 

Kundër këtij vendimi, palët e paknaqura kanë përsëri të drejtë ankese në gjykatë të Apelit, tha në fund gjyqtari Haziri.

 

Kujtomë se Sadullah Dërmaku, së pari në prill të vitit të 2018 e mëpasë edhe më 31 Janar 2019, nga Gjykata Themelore në Gjilan, ishte dënuar me 15 muaj burgim efektiv, si dhe me 300 euro gjobë.  Pos dënimit kryesor, gjykata i pati shqiptuar edhe dënimin plotësues, atë të ndalimit të ushtrimit të profesionit në administratë dhe shërbime publike në periudhë prej dy vitesh.

Gjykata e Apelit me vendimin e datës 25 Prill 2019 pas ankesës së palëve, e pati anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim për faktin se sipas Apelit, ky vendim i shkallës së parë, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti nuk është përpiluar në formën e paraparë me ligj.

Tutje në vendimin e Apelit thuhet se nga arsyetimi i aktgjykimit nuk rezulton se gjykata e shkallës së parë ka bërë ricilësimin e veprës penale të marrjes së ryshfetit në atë të ndihmës së kryerjes së kësaj vepre, sepse siç rezulton nga përshkrimi faktik i arsyetimit të aktgjykimit, por edhe nga provat dhe shkresat e lëndës, i akuzuari ka vepruar vetëm, dhe nuk ekziston asnjë person tjetër që ai të ketë mundur ta ndihmojë në ndonjë mënyrë, siç e parashesh neni 33 i KPRK-së.

Përndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjilanit, e datës 10 nëntor 2017, Dërmaku akuzohet për veprën penale “marrje e ryshfetit”, sepse më 20 tetor 2017, në Kamenicë, në cilësinë e inspektorit të komunikacionit, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Ai akuzohet se në mënyrë që të dëmtuarit B.Sh, t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i ka kërkuar 500 euro para të cilat i ka marr nga i dëmtuari dhe të njëjtat i ishin gjetur në xhepin e palltos së tij, pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë, me ç’rast edhe ishte arrestuar.

Drejtësia Sot, ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast:

 

Monitorues, Vullnet Bugaqku