Të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka dhënë dëshminë e tij polici-dëshmitari Sead Azemi, në rastin ku për tri vepra penale po akuzohen Ismet (Ajet) Tahiri dhe Sylë (Nimon) Fejza.
Sylë Fejza po akuzohet për veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, ndërsa Ismet Tahiri po akuzohet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe veprën penale “marrje e ryshfetit”, raporton Drejtësia sot.
Pas fjalës hyrëse, ku prokurori Naim Beka, ka deklaruar se me provat që janë në shkresat e lëndës dhe dëshmitarët që do të dëgjohen do të vërtetohet përmbajtja e aktakuzës, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor me marrjen në pyetje të dëshmitarit Sead Azemi.
Në pyetjet e prokurorit Beka, dëshmitari ka thënë se të akuzuarin Ismet Tahiri e kishte pasur në rast dhe se kallximin penal ndaj tij e kishte bërë ai.
Dëshmitari Azemi me tutje tha se kishte marr informacione nga patrulla policore që në vendin e quajtur “Kerrshi i keq”, po prehet mali në mënyrë ilegale dhe në ato momente ai se bashku me kolegun e tij kishin shkuar për ta hetuar këtë rast.
Më pas, ai tha se me të arritur në vendin e ngjarjes atu e kishin takuar të akuzuarin Sylë Fejza, i cili kishte kërkuar ndihmën e policisë, të njëjtin e kishin pyetur se “ç’far kishte ndodhur”, ai ju kishte drejtuar në mënyrë verbale duke ju thënë se rojtari i pyllit i kishte kërkuar të holla që ai të punonte në mal.
Më tutje, dëshmitari tha se lidhur me këtë, i akuzuari Fejza e kishte një incizim telefonik në të cilin dëgjohet biseda në mes të ankuesit dhe rojtarit të pyllit.
Në vazhdim, mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Tahiri, avokati Skender Musa, kërkoi nga gjykata që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër për arsye se kishte një gjykim tjetër në Prishtinë.
Në këto rrethana kryetari i trupit gjykues gjyqtari Radosllav Markoviq, ka shtyrë shqyrtimin gjyqësor për datën 12.12.2019 në ora 10:00, dhe ka njoftuar se në seancën e radhës do të vazhdoi marrja në pyetje e dëshmitarit Sead Ademi.
Vlen të ceket se i akuzuari Sylë Fejza në seancën e shqyrtimit fillestar e kishte pranuar fajësinë lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 29 nëntor 2018, Ismet Tahiri, po akuzohet se më periudhën kohore Prill-Maj 2016, në fshatin Zabërgj të Komunës së Mitrovicës, në cilësinë e personit zyrtar, në rastin konkret pylltar, ka pranuar përfitim për vete nga Nimon Fejza.
Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Tahiri duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij, ka lejuar që personi Nimon Fejza, pa leje përkatëse të presë dru në vendin e quajtur te “Kërshat e këqij” dhe të njëjtat t’i transportojë për t’i shitur në Mitrovicë, ashtu që për çdo transporti nga Fejza, për katër raste ka pranuar shumën prej 50 euro, e që gjithsej shuma e parave të kërkuara dhe të pranuara arrijnë vlerën 200 euro.
Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ismet Tahiri po akuzohet se në kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij, pavarësisht se në cilësinë e pylltarit ka pasur për obligim që të mbrojë pyllin shtetëror nën mbikëqyrjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Tahiri nga veprimet e tij, i ka sjellë dobi Nimon Fejzës ashtu që në katër raste drurët e prera i ka bartur me kamion dhe i ka shitur më pas në Mitrovicë, në shumë prej 500 euro për secilin, duke i shkaktuar dëm Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Me këtë, Ismet Tahiri, po ngarkohet për kryerjen e veprave penale “marrja e ryshfetit”, dhe veprën penale “keqpërdorim i i pozitës apo autoritetit zyrtar”
Pika e tretë e dispozitivit të aktakuzës, e cila i referohet të akuzuarit tjetër në këtë rast, Sylë Fejza, këtë të fundit e ngarkon me veprën penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Fejza, më 8 qershor 2016, u ka bllokuar rrugën personave zyrtarë dhe atë pylltarëve Ismet Tahiri dhe Ramadan Salihu, të cilët thuhet se ishin duke kryer detyrat e tyre zyrtare, ashtu që përderisa ishin duke lëvizur me automjetin zyrtar, i akuzuari Fejza, e kanos pylltarin Ismet Tahiri, duke e sharë dhe duke iu vërsulur, e që siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit detyrohen që me automjetin zyrtar të futen në një rrugë anësore dhe të rikthehen përsëri në rrugën kryesore.
Me këtë, Sylë Fejza ngarkohet me veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”
Lidhur me këtë rast Drejtësia Sot ka raportuar më herët
Monitorues Egzon MUSA dhe Edita KOLIQI
Lajmet në fokus