Fillon rigjykimi në rastin ndaj Naser Kelmendit

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

13:47 / 26 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Naser Kelmendi, i njohur si “Bossi i Ballkanit”, i kërkuar nga Interpoli, i dyshuar për krim të organizuar të nivelit ndërkombëtar, po gjykohet përsëri nën dyshimin për transport të drogës, lloji heroinë.

 

Në fjalën hyrës prokurorja special Merita Bina Rugova, konsideroi se pas rigjykimit do të vërtetohet pa mëdyshje se i akuzuari e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë. Poashtu, propozoi që në përpikmëri ti përbahen udhëzimeve të Gjykatës së Apelit sa i përket administrimit të provave në këtë rast penal.

 

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Naser Kelmendi, avokati Besnik Berisha tha se kjo pikë e aktakuzës për të cilën akuzohet Kelmendi, mbështetet vetëm në rrëfimin e një dëshmitari, kriminel ordiner, i dënuar për vrasje, krim të organizuar, narkotik e i cili për qudi i ftuar nga askush pasi lexon në media se u arrestua Naser Kelmendi, ai i dërgon 4 letra prokurorisë duke iu thënë se mund të dal dëshmitar kundër Naser Kelmendit. Nuk ka prova të tjera që mund të vërtetojnë tezën e akuzës.

 

Kërkoi nga gjykata të ndalet persekutimi ndaj zotit Kelmendi sepse i njejti siç është vërtetuar edhe për pikat e tjera ku gjykata nuk ia fali besimin deklaratave të këtij dëshmitari, njejt do të veprohet edhe për këtë pikë.

 

Administrimi i provave nuk ishte i mundur sepse prokurorja propozoi që të gjitha të tjera të konsiderohen të lexuara përveç dëshmisë së dëshmitarit K2. Kërkoi nga gjykata që të tentoj të siguroj dëshminë e tij me video link.

 

Këtë e kundërshtoi avokati Berisha. Përmendi premtimin e pambajtur të prokurorisë ndaj dëshmitarit K2 i cili priste që pas dëshmimit ti pezullohej dënimi, gjë që nuk ka ndodhur. E poashtu, raportet mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, gjë që do të pamundësonte marrjen e dëshmisë së tij.

 

Pavarësisht të gjithave, gjykata aprovoi propozimin e prokurores. Do të tentohet të merret dëshmia e këtij dëshmitari.

 

Sipas aktakuzës, Naser Kelmendi, ka përdorur dëshmitarin e mbrojtur K2 dhe anëtarët e tjerë të organizatës së vet për të transportuar një dërgesë të madhe të heroinës nga Tuzlla për në Austri. Për shkak të një borxhi që K2 i’a kishte të akuzuarit Naser Kelmendi, dhe pamundësia për t’ia kthyer pranon t’a merr një veturë të tipit VW Caddy në Tuzla dhe ta deri në Austri për ta sjellë pastaj në Bosnjë një mbulesë të rimorkios së kamionit. Në këtë mënyrë Naser Kelmendi do të hiqte dorë nga pagesa e kamatës.

 

K2 e kishte marrë veturën siç ishte urdhëruar nga Naser Kelmendi dhe e kishte vozitur atë përmes Sllovenisë deri në një sallë të një fabrike në Austri. Me të arritur, K2 e kishte lënë veturën por kur gjatë natës ishte kthyer në sallën e fabrikës për ta marrë telefonin e vet celular, ai i kishte parë dy meshkuj që shkarkonin një sasi të madhe të heroinës në forma kubi të mbështjella me shirit ngjitës të bardhë. Ato i hiqnin nga mbulesa e brendshme e tavanit të veturës, “pashë se kishte shumë”, kishte spjeguar K2. “Jam i sigurt se sasia ishte shumë më e madhe se ajo që e kisha transportuar nga Turqia”. “Meshkujt që po i shkarkonin kubet më thanë se ajo ishte heroinë”.

 

Kur K2 e kishte parë makinën VW Caddy ditën e radhës ajo “duket si kurrë nuk kishte pasur gjë në të, ajo ishte ngjitur prapë, ishte ngjyrosur e rregulluar e tëra”. Nga pasaporta e K2 vërtetohen hyrjet në Slloveni e Austri në kohën përkatëse.

 

Pas kthimit të Sarajevë, vetë Naser Kelmendi i kishte thënë K2 se droga ishte e tij. Kur e kishte dorëzuar mbulesën e rimorkios së kamionit dhe veturën VW Caddy, K2 e kishte pyetur Kelmendin “çka më ke bërë”, ndaj së cilës pyetje Naser Kelmendi ishte përgjigjur, “a mendove se për 11 mijë euro do ta transportoje vetëm mbulesën e rimorkios”.

 

Naser Kelmendi, edhe pse i dyshuar për krim të nivelit të lartë, është liruar nga paraburgimi për tu mbrojtur në liri.

 

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë me të cilin i akuzuari Kelmendi lirohet nga akuza për vrasje të rëndë të Ramiz Delaliq, ndërsa ka anuluar vendimin me të cilin është dënuar për posedim me qëllim të shpërndarjes së narkotikëve.

 

Për këtë pikë të aktakuzës, për shkak të shkeljeve procedurale, lënda është kthyer në rigjykim.

Lidhur me këtë rast Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët

Monitoruese: Ermirë JANUZI