Është mbajtur rigjykimi ndaj të akuzuarve për vrasje të rëndë në fshatin Shaptej të Deçanit

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Selvije Morina

15:31 / 11 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën e Pejës, është mbajtur edhe një herë nga fillimi rigjykimi ndaj të akuzuarve për vrasje te rëndë dhe armëmbajtje pa leje, shkak ndërrimi i anëtarëve te trupit gjykues.

Vlen të përmendet se kjo gjykatë me aktgjykimin e datës 14 prill të vitit të kaluar, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar të akuzuarin D.L, me dënim unik prej 25 vite burgim, ndërsa të akuzuarin S.L, me dënim unik në kohëzgjatje prej 18 vite burgim, për veprat që iu vihen në barrë.

Mirëpo Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2018, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara, dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje, për shkak të shkeljes esenciale të procedurës penale dhe vërtetim jo i plotë i gjendjes faktike, me theks të veçante shkelja e dispozitave të procedurës penale (neni 384 par 1 pika 1.12, e që lidhet me nenin 370 par.6 dhe 7,).

Edhe në shqyrtimin e sotëm të akuzuarve iu është dhënë mundësia të deklarohen lidhur me pranimin ose mos pranimin e fajësisë.

I akuzuari D.L, deklaroi se e pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe për të dy vrasjet mirëpo jo me dashje ndryshe i akuzuari S.L, deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprat që i vihen në barrë.

Më këtë rast kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, konstatoi se të akuzuarit D.L, nuk mund ti aprovohet pranimi i fajësisë pasi që i njëjti nuk e ka pranuar aktakuzën në të gjitha pikat dhe shtoi se gjykata do të vazhdoi me procedurën e të provuarit dhe njëkohësisht ftoi palët për të dhënë fjalën hyrëse.

Prokurori i rastit Haxhi Sinanaj, në fjalën hyrëse deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale me administrimin e provave dhe me dëgjimin e të dëmtuarve dhe të dëshmitarëve do të vërtetohet se në veprimet e të akuzuarve janë përmbushur të gjitha elementet e veprave me të cilat ngarkohen te njëjtit.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit D.L, avokati Gzim Kollqaku, deklaroi se në tërësi qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë në dy shqyrtimet e kaluara gjyqësore.

Tutje mbrojtësja e të akuzuarit S.L, avokatja Kosovare Kelmendi, në fjalën hyrëse deklaroi se në fund të procesit gjyqësor pas administrimit të gjitha provave e te cilat do te vërtetojnë se i mbrojturi im do te mund te shpallet fajtor vetëm për vepër penale pjesëmarrja ne rrahje ndryshe, në pjesën tjetër mbes pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimet e kaluara.

Më pas gjykata vazhdoi shqyrtimin gjyqësor me dëgjimin e të dëmtuarit G.R, në pyetje të prokurorit i  dëmtuari deklaroi se mbette në tërësinë pranë deklaratave që ka dhënë në prokurori dhe në gjykatë në shqyrtimet e kaluara gjyqësore. I njëjti ka shtuar se nuk ka diçka tjetër për të shtuar pos atyre çfarë i ka deklaruar gjerë më sot.

Pas dëgjimit të dëmtuarit është dëgjuar edhe dëshmitari T.R, i cili deklaroi se qëndron pranë të gjitha deklarimeve të dhëna me parë, ai ka treguar se ditën kritike nuk ka qenë në vend të ngjarjes për ketë rast e kishin njoftuar disa persona nga fshati Ratishë, dhe me të shkuar te vendi ngjarjes ka parë vetëm xhaxhain e tij dhe babin i cilin i kishte thënë se i vranë B.R dhe R.R, ndryshe viktimat nuk i ka parë në vend të ngjarjes.

Dëshmitari T.R, ka deklaruar se “raportet familjare në 4 vite te fundit nuk kanë qenë të mira dhe jemi distancuar nga i akuzuari S.L, sepse i njëjti ka qenë i mallkuar”.

Mbrojtësja e të akuzuarit S.L, avokatja Kosovare Kelmendi, e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratat e tij të dhëna në prokurori dhe gjatë shqyrtimeve gjyqësore duke e pyetur se cilat janë të sakta ato çfarë ka deklaruar më parë apo sot.

Dëshmitari deklaroi se të sakta janë të gjitha çfarë i kam thënë edhe çfarë i thash sot pak kanë dallime dhe në fund shtoi se “jemi lodh duke ardhur në gjykatë në të njëjtin vend me personat që na kanë vrarë vetëm se këtë ja kemi lënë në dorë gjykatës dhe zotit”.

Më përfundimin e dëgjimit të dëshmitari shqyrtimi ka përfunduar për të vazhduar me datë 13.11.2019, raporton “Drejtësia Sot”.

Sipas aktakuzës thuhet se me datë 25.08.2016, i akuzuari D.L, pas një mosmarrëveshje paraprake, ka privuar nga jeta viktimën R.R,me armë zjarri, i njëjti pasi që ka privuar nga jeta viktimën e cekur më parë, bashkë me të akuzuarin S.L, akuzohen për vrasjen e B.R, po ashtu me armë zjarri. Të njëjtit me veprimet e tyre kanë vënë në rrezik jetën e të miturit A,R dhe të G.R, e M.R.

Monitoruese: Selvije MORINA