Ish-komandanti i policisë në Novobërdë SH.A akuzohet nga prokuroria e Gjilanit për “marrje të ryshfetit” dhe “moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”, njofton Drejtësia Sot.
Lidhur me këtë rast, sot në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur në gjykatën e Gjilanit, u dëgjua dëshmitari B.D i cili ishte propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit SH.A avokati Ymer Huruglica. Ky dëshmitar tha se të akuzuarin SH.A nuk e njeh dhe se nuk e ka parë asnjëherë. Në lidhje me vajzën e tij dëshmitari tha se është martuar me pëlqimin e tij me personin me iniciale I.D dhe se në atë kohë vajza e tij i ka pasur 16 vjeç.
“Drejtësia Sot” mëson se personi me inicialet I.D nga Gjykata Themelore e Gjilanit-Departamenti për të Mitur më herët ishte shpallur fajtor për veprën penale “bashkësia jashtëmartesore e personave nën moshën 16 vjeqare”. Gjithashtu I.D ishte shpallur fajtor edhe nga Departamenti i Krimeve të Rënda për veprat penale “armëmbajtje pa leje”, dhe “importi, eksporti, furnizimi, ose shitja e paautorizuar e armëve”.
Më tutje, shqyrtimi gjyqësor i sotëm për ish-komandantin SH.A, vazhdoi me leximin e shkresave të lëndës si dhe me dhënien e mbrojtjes së të akuzuarit. I akuzuari SH.A gjatë mbrojtjes së tij mohoi të ketë kryer veprat penale. Ai tha se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor pasi ky rast është në rigjykim.
Meqënëse askush nuk pati pyetje për të akuzuarin, seanca e rradhës gjyqësore u caktua për datën 9 dhjetor ku do të vazhdohet me fjalët përfundimtare të palëve si fazë e fundit e procedurës penale para shpalljes së aktgjykimit.
Ndryshe, në aktakuzën e ngritur nga prokuroria, dyshohet se i akuzuari SH.A, në cilësi të personit zyrtar-komandant i stacionit policor në Novobërdë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dhuratë-dru për ngrohje në sasi rreth 5m³, për zbulimin e vjedhjes së pyllit në pronësi të N.M nga Gjilani. Me këto veprime i njejti dyshohet se ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.
SH.A, gjithashtu akuzohet se gjatë periudhës kohore 22 korrik deri më 23 korrik 2017, përmes telefonit komunikon me të akuzuarin me iniciale I.D, dhe nga i njëjti mëson se pa leje valide është duke poseduar armë të zjarrit. Gjithnjë sipas aktakuzës, po ashtu i akuzuari SH.A nga i akuzuari I.D mëson se i njëjti është duke mbajtur në bashkësi jashtë martesore personin nën moshën 16 vjeç. Edhe pse si person zyrtar-komandant i stacionit policor në Novobërdë, mëson për këto dy vepra, mirëpo të njëjtat nuk i lajmëron. Me këto veprime i njejti dyshohet se ka kryer veprën penale “moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Për më tepër, të akuzuarin SH.A, për këto vepra penale, gjykata e Gjilanit me 5 dhjetor të vitit 2018 e ka shpallur fajtor duke i shqiptuar dënim me burg prej 6 muajve me kusht që i akuzuari të mos kryejë vepër tjetër penale brenda 1 viti. Gjithashtu të njejtit i është shqiptuar edhe dënim unik me gjobë në shumë prej 1500 (njëmijëepesëqind) euro.
Mirëpo, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ymer Huruglica, Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështja i është kthyer të njejtës gjykatë për rigjykim dhe rivendosje. Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit të cilën e ka siguruar “Drejtësia Sot” thuhet se çështja kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal si dhe vërtetimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.
“Drejtësia Sot” ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus