Mungesa e avokatit Haxhi Millaku, ka bërë që për herë të dytë të dështoi mbajtja e seancës gjyqësore ndaj të pandehurve Hamdi (Ilaz) Aliu, Mentor (Fehmi)Shabani dhe Mehdi (Hamdi) Aliu.
I mbrojturi i tij Mentor Shabani, ka lajmëruar sot gjykatën se avokati i tij gjendet në një seancë në Pejë, ai njëherit i ka propozuar gjykatës që të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor megjithatë gjyqtarja Nushe Kuka Mekaj, e ka njoftuar se mbrojtja për veprën penale me të cilën ngarkohet është e detyrueshme.
Në vazhdim, Kuka-Mekaj ka aprovuar propozimin e prokurores së shtetit Bukurije Gjonbalaj, e cila ka kërkuar nga gjykata anulimin e seancës së caktuar për datë 12 nëntor 2019, kjo pasiqë e njëjta ka një trajnim të detyrueshëm dhe nuk do të mund të marr pjesë në seancë.
Seanca e radhës është caktuar për datën 24 dhjetor 2019.
Sipas aktakuzës, më datë 18.05.2007, në restaurant “Shega” në Milloshevë, Komuna e Obiliqit, të pandehurit, në bazë të marrëveshjes paraprake pasi janë takuar me të dëmtuarin Bedri Qitakun, në këtë restorant lidhur me kthyerjen e të hollave që ia kishte borxh të pandehurve në shumën prej 250.000,00, të holla këto që ishin marrë me rastin e blerjes së paluajtshmërive, ku ndërmjetësues kishte qenë avokati Qitaku.
Tutje në aktakuzë thuhet se, pasiqë kishte skaduar afati për kthimin e këtij borxhi, të pandehurit të revoltuar, me veturën kombi e marrin avokatin Bedri Qitaku, dhe të njejtit e dërgojnë në shtëpinë e të pandehurit Hamdi Aliu.
Me këto veprime të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi i personit”.
Të pandehurit akuzoheshin edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrtyëzim të paautorizuar të armëve”, mirëpo duhet theksuar se për këtë vepër penale ka arritur parashkrimi dhe poshtu është kjo vepër penale është përfshirë në amnisti.
Lidhur me këtë gjyqtarja Nushe Kuka Mekaj, në seancën e kaluar ka bërë të ditur se gjykata do ta pushojë procedurën ngase ka arritur parashkrimi absolut dhe do të merr aktvendim për pushim të pjesërishëm të procedurës.
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me datë 14 tetor 2019, tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.
Lidhur me këtë rast Drejtësia Sot e ka monitoruar edhe më herët
Monitoruar nga Zanë BUÇINCA
Lajmet në fokus