Dështon gjykimi ndaj Policit për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

11:41 / 12 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ishte e paraparë të fillonte gjykimi ndaj Policit të Republikës së Kosovës Avni (Shani) Ajdini i lindur më 02.02.1967 në Dragash.

Shkak për mos mbajtje të kësaj seance gjyqësore, ishte mos prania e të pandehurit Avni Ajdini, raporton Drejtësia Sot.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi konstatoi se i njëjti nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Në këto rrethana, gjyqtarja Skenderi mori vendim që shqyrtimi fillestar të mbahet më 29 nëntor 2019, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren i pandehuri Avni Ajdini, më datë 05.06.2019 në Pikën Kufitare të Vërmicës, në cilësinë e zyrtarit policor duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk e përmbush me dashje detyrën e tij zyrtare duke rënë ndesh me ligjin e aplikueshëm dhe udhëzimin administrativ, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për persona tjerë, të cilët kanë kaluar kufirin për në Kosovë nga Republika e Shqipërisë.

Tutje, aktakuza përshkruan se Avni Ajdini, ka vepruar në atë mënyrë që gjersa ishte në detyrë në PKK të Vërmicës, ka lejuar veturën e markës “Opel Zafira”, i cili drejtohej nga E.C., së bashku me personat e huaj punëtorë teknik të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri, që të hyjë nga Republika e Shqipërisë për në Kosovë në kundërshtim me procedurat kufitare.

Drejtësia Sot raporton se personat e lejuar që të hyjnë në mënyrë të paligjshme, nuk kishin dokumentacion adekuat të udhëtimit, ndaj tyre nuk ishte kryer kontrolli kufitar, evidentimi dhe verifikimi i tyre sipas ligjeve të Kosovës.

Andaj, me këto veprime, i pandehuri Avni Aajdini, ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. (Drejtësia Sot).

Lidhur me këtë rast Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët

Monitorues: Lorik KABASHI & Uran ZOGAJ