Rasti “Stenta 2” ku janë të akuzuar 45 kardiologë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti, tani që gjendet në fazën e procedimit të provave ka vazhduar me dhënien e dëshmive të pesë dëshmitarëve të tjerë të propozuar nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Dëshmitarët e ftuar për të dëshmuar ishin: A.D, B.T, F.P, A.N dhe D.B të cilët shpjeguan para gjykatës se si kishte ardhur deri te intervenimi për vendosjen e stentave në spitalin privat “International Medicine Hospital” dhe në spitalin “EDA”.
Shqyrtimi gjyqësor filloi me dëshminë e dëshmitarit A.D, i cili deklaroi para gjykatës se është paraqitur vetë te Prokurori Special për të dhënë deklaratë. Sipas tij ai ishte paraqitur në prokurori për të kërkuar kompensim dëmi nga Ministria e Shëndetësisë për intervenimin e kryer në spitalin turk IMH, ku kishte vendosur dy stenta në këtë spital. Ai ndër të tjera deklaroi : “Kam shku në prokurori për me kërku dëmshpërblim, atë 70 përqindëshin që e jep Ministria. Unë nuk kam shku me akuzu askënd “. Dëshmitari ndër të tjera deklaroi se kishte paraqitur kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë kompensimin për intervenimin e kryer në spitalin privat, intervenim ky që i kishte kushtuar 5,700 euro, por që kërkesa e tij ishte refuzuar me arsyetimin se kërkesa nuk është paraqitur me kohë.
Dëshmitarët e thirrur për të dëshmuar sot, pranuan se kishin shkuar vullnetarisht për të dhënë dëshmi në Prokurorinë Speciale pasi që kishin dëgjuar në media për skandalin e stentave, se stentat nuk iu ishin vendosur shumicës së pacientëve që kishin shkuar për ti kryer këto intervenime, e nga dyshimi se e njëjta ka ndodhur edhe me ta kishin vendosur që të paraqiten para prokurorit.
Ky dyshim ishte ngritur edhe te dëshmitari B.T, sepse sipas tij koha e intervenimit ishte shumë e shkurtër, përkatësisht ky intervenim kishte zgjatur vetëm 15 minuta, dhe ai kishte dyshuar në kohën e shkurtër të intervenimit, e jo në mjekët që e kishin kontrolluar në Spitalin shtetëror.
Disa nga dëshmitarët deklaruan se mjekët asnjëherë nuk iu kanë imponuar shkuarjen në ndonjë nga spitalet private për të bërë stentimin për ata apo familjarët e tyre.
Por ndryshe nga disa, dëshmitari A.N, deklaroi se mjeku L.P iu kishte thënë që të shkojnë në spitalin privat “EDA” dhe po ashtu, iu kishte kërkuar shumën prej 100 euro në mënyrë që ta shoqëronte babanë e tij me autoambulancë deri në spitalin privat “EDA” ku edhe i kishte dërguar që ta kryejnë intervenimin për vendosjen e stentave. A.N, nuk kishte pranuar që ta paguajë mjekun në fjalë, por që në fund nuk kishte pasur zgjidhje tjetër veçse të paguajë 70 euro autoambulancën dhe 30 euro për një infermier që ta shoqërojë babanë e tij deri në spitalin privat.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje duke vepruar si persona zyrtar, si mjekë i kanë tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë. Të njëjtit me dashje dhe dijeni iu kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 personave të cilët edhe pse i kishin kryer trajtimet mjekësore, e në disa raste të afërmve për pacientët që kishin vdekur në spitalet private “International Medicine Hospital” IMH, me qëllim që atyre të iu kompensonin shpenzimet nga Ministria e Shëndetësisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzë i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën e Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprime kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronorografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Lidhur me këtë rast edhe më herët Drejtësia Sot ka raportuar
Monitoruar nga : Biondina ZENELI dhe Blendë MJEKU
Lajmet në fokus