Dënohet qytetari nga Suhareka për fotografim dhe publikim të votës

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga Lorik Kabashi

14:37 / 21 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Prizren i ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 muajve të pandehurit F.S. nga Suhareka. Mirëpo, ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse F.S. nuk do të kryej vepër tjetër penale brenda periudhës kohore prej 1 viti, raporton Drejtësia Sot.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari në seancën fillestare e ka pranuar veprën penale me të cilën ngarkohet.

I pandehuri F.S. akuzohej se ka kryer veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e datës 22 tetor 2019 përshkruan se i pandehuri F.S., me datë 06.10.2019 rreth orës 11:00 në fshatin Sllapuzhan – Komuna e Suharekës, në vendvotimin e objektit shkollor ”Xhavit Sylaj”, cenon fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës.

Kështu, i pandehuri ka vepruar në atë mënyrë që pasi ka votuar, fletëvotimin përmes telefonit celular e fotografon dhe pastaj e poston në rrjetet sociale si dhe në portalin ,”Suhareka online”.

Me këtë rast, prokurori Sefa kërkoi nga gjykata që F.S. ta shpall fajtor, dhe të merr parasysh të gjitha rrethanat me rastin e caktimit të dënimit.

Si rrethanë lehtësuese gjykata të marrë pranimin e fajësisë  si dhe pendimin e tij për kryerjen e veprës penale, shtoi prokurori i shtetit.

Ndërsa i  pandehuri F.S., deklaroi se i vjen keq dhe se pendohet për veprën të cilën e ka kryer. Ai shtoi se nuk ka pas dijeni se veprimi i tillë është i ndaluar dhe se komisionarët dhe vëzhguesit që kanë qenë prezent kur ka votuar, nuk ia kanë tërhequr vërejtjen që fotografimi i votës është i kundërligjshëm.

Prandaj, F.S. i kërkoi gjykatës që mos dijeninë e tij për këtë vepër penale, gjendjen e vështirë materiale dhe pendimin e thellë, t’i merr parasysh me rastin e caktimit të dënimit

Pas kësaj, gjyqtari Xheladin Osmani shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.S. dhe e dënoi me kusht në kohëzgjatje prej 3 muaj burg, duke e pezulluar ekzekutimin e tij nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës 1 vjeçare.

Gjithashtu, gjyqtari Xheladin Osmani në aktgjykimin dënues ndaj të pandehurit, vendosi që të konfiskohet telefoni celular “iPhone XR”, me të cilin është kryer kjo vepër penale.

Po ashtu ndaj të pandehurit i bien në barë shpenzimet procedurale, paushalli gjyqësorë në vlerë prej 30 euro dhe pagesa në vlerë prej 50 eurove për fondin e kompensimit të viktimave. (Drejtësia Sot).

Monitorues: Lorik KABASHI