Del para gjykatës zyrtari policor: Akuzohet se përvetësoi para në detyrë

Gjykata Themelore , Prizren

Monitoruar nga

14:07 / 20 Nëntor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prizren, zyrtari policor Selman Isuf Ukzeka, i lindur më 14.10.2019 në Prizren, doli para gjykatës për t’u përballur me akuzat për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

Polici Ukzeka, po akuzohet se afër mesnatës së 10 majit 2019, si person zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson për vete disa kartëmonedha të huaja, raporton “Drejtësia Sot”.

Gjithashtu, pasi që i pandehuri Ukzeka deklaroi se është i gjendjes së varfër ekonomike, gjyqtari Xheladin Osmani vendosi që atij t’i caktoj një mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Drejtësia Sot raporton që në shqyrtimin fillestar, pasi që prokurori i shtetit Metush Biraj lexoi aktakuzën, Selman Ukzeka deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale përvetësimi në detyrë.

Gjyqtari Osmani vendosi që shqyrtimi i dytë të caktohet për datë 30 dhjetor 2019 në ora 09:30. Deri në këtë datë, polici Selman Ukzeka përmes mbrojtësit të tij, avokat Avni Thaçi, ka të drejtë të parashtroj kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe t’i kundërshtoj provat në aktakuzë.

Vlen të përmendet që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më datë 31 tetor 2019, polici Selman Ukzeka po akuzohet që në cilësi të personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përvetëson pasurinë që iu ka besuar si person zyrtar.

Kështu, i pandehuri Ukzeka, në zyrën e pranimit të Qendrës së Ndalimit, në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, të dëmtuarit- të ndaluarit S.Sh. ia prezanton gjësendet 2 nga 5 euro, zingjirin, orën e dorës dhe kuletën. Pastaj, polici Selman Ukzeka përvetëson njërën bankënotë të vlerës 5 euro dhe pasi që S.Sh. shkon në dhomën e ndalimit, e pyet atë nëse disa kartëmonedha të huaja janë të tij. Më pas, në formularin e regjistrimit përfshin vetëm 5 euro e 20 cent dhe gjësendet e cekura më lartë.

Me këto veprime, polici Selman Ukzeka ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. (Drejtësia Sot).

 

Monitorues: Uran ZOGAJ