Ka vazhduar gjykimi ndaj Osman Stullqakut, zyrtar në komunën e Obiliqit. Osman Stullqaku, dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Komasacion ka tjetërsuar pronat në dëm të të dëmtuarës “Shkabaj”, prona ato në pronësi të kësaj ndërmarrje.
Në seancën e së martës, ka paraqitur dëshminë e tij, dëshmitari Besim Elshani, bashkëpronar në ndërmarrjen “Shkabaj”.
I njejti informoi gjykatën për mënyrën e blerjes së tokës nga Agjensioni Kosovar i Privatizimit, në procesin e privatizimit.
Bëhet fjalë për 288 hektarë tokë, në vlerë prej 12,134,500.00 euro. Gjysma e regjistruar në Komunën e Obiliqit ndërsa gjysma tjetër në Komunën e Prishtinës.
Dëshmitari thotë se në atë kohë Komuna e Obiliqit ka filluar procedurën e komasacionit, pra ndërrimi i pronave ku pronarit i merret një pronë dhe i kompensohet me një pronë tjetër. Pronarët e ndërmarrjes “Shkabaj” nuk ishin të interesuar për këtë proces. Kjo sepse vendi ku do të bëhej komasacioni ishte i papërshtatshëm sepse ishte me shtëpi banimi që i bie që do të duhej t’iu merreshin shtëpitë pronarëve dhe t’iu jepej tokë.
Një herë i kishin ftuar në zyre në Komunën e Obiliqit dhe nuk i kishin pritur mirë e pastaj pa marrë mendimin e tyre i’u vie një aktvendim me të cilin njoftohen se është kryer komasacioni.
Pas ankesës së tyre në Ministrinë e Bujqësisë, me aktvendim të kësaj ministrie ishte anuluar çdo gjë.
Në vitin 2014, sipas dëshmitarit, ishte bërë auditimi dhe ndërmarrjes “Shkabaj” i mungonin rreth 14 hektarë tokë. Pas interesimit në komunën e Obiliqit, i’u kishin thënë se kanë kaluar në procesin e komasacionit. Por se me cilat toka ishin ndërruar nuk dihet ende, sepse “Shkabaj” ende nuk i ka në pronësi ato prona.
Thotë se dëmi i tërësishëm shkaktuar kompanisë është afër 3 milionë. Kjo duke marrë parasysh vlerën e pronës, kreditë që janë marrë e procedurat e tjera.
Sipas aktakuzës së ngritur më 28 dhjetor 2017, Osman Stullqaku, në mes periudhës kohore 2009-2013, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar si i punësuar në Komunën e Obiliqit, ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër apo duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Ndërmarrja e Re – toka bujqësore “Shkabaj” me bashkëpronar Besim Elshani.
Prokuroria pretendon se i pandehuri, si kryetar i komisionit për Komasacion në Komunën e Obiliqit duke vepruar në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm për komasacion dhe duke u shërbyer me vendime të viteve të 80-ta ua ka mundësuar bartjen e disa parcelave personave të ndryshëm fizik përmes procesit të komasacionit, ashtu që ka bërë tjetërsimin e disa parcelave te të dëmtuarës dhe me këtë veprim të dëmtuarës i janë marrë në mënyrë të kundërligjshme një sipërfaqe e përgjithshme prej 14 hektar e 42 ari e 86 metër katrorë.
Siç pretendon prokuroria, me këto veprime, kompania “Shkabaj”, në bazë të ekspertizës financiare të 21 dhjetorit 2015, është dëmtuar në vlerë të përgjithshme prej 620.060,00 eurosh.
Monitoruese: Ermirë Januzi dhe Biondina Zeneli
Lajmet në fokus