Vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarit për Trafikim me njerëz

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

15:10 / 11 Tetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

I akuzuari për veprën penale “Trafikim me njerëz”, Sh.A., ka mohuar fajësinë në lidhje me veprën penale që i ngarkohet në shqyrtimin fillestar që është mbajtur sot pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sh.A. po akuzohet se ka shfrytëzuar disa shtetase të Moldavisë duke i detyruar që të kryejnë marrëdhënie me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, seanca ka proceduar me fjalën hyrësë të palëve.

Prokurori i shtetit, Ilaz Beqiri, në fjalën hyrëse theksoi se me deklarata e të dëmtuarave të dhëna gjatë procedurës paraprake rezluton se në veprimet e të pandehurit manifestohen të gjitha elementet e veprës penale për të cilën akuzohet.

Poashtu, prokurori tha se organi akuzues ka siguruar prova të bollshme me të cilat pa mëdyshje vërtetohet përgjegjësia penale e të akuzuarit.

Pas fjalës hyrësë të prokurorit, i akuzuari Sh.A. ka kërkuar që të ndërpritet seanca e sotme me qëllim që i njejti të caktojë një mbrojtës i cili do t’a përfaqësoi në këtë çështje penale.

Gjykata morri aktvendim duke aprovuar propozimin e të akuzuarit duke e ndërprerë këtë seancë dhe atë të ardhshmen e caktoi më datë 26 dhjetor 2019.

Ndryshe, me të filluar seanca, gjyqtari i rastit, Naser Foniqi, theksoi se mbrojtësi i të akuzuarit avokati Muhamet Humollli ka njoftuar gjykatën se tani i akuzuari i’a ka revokuar autorizimin.

Edhe pse në këtë rast nuk është mbrojtja e detyrueshme, i akuzuari ka kërkuar që për shkak të gjendjes ekonomike të dobët t’i caktohet një mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Këtë kërkesë e ka refuzuar trupi gjykues me arsyetimin se në këtë rast nuk është mbrojtja e nevojshme dhe se i akuzuari ka të drejtë që me mjetet e veta financiare të angazhoi një mbrojtës.

Sipas aktakuzës të siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, i pandehuri dyshohet se duke qenë fillimisht kamarier dhe pastaj pronari i lokalit “Hi-Fish-Bar” në Prishtinë, me qëllim të përfitimit pasuror, kishte detyruar tri shtetase nga Moldavia të cilat punonin si kamariere në këtë lokal, të kryenin marrëdhënie me persona të caktuar në këmbim të pagesës me të holla.

 

Monitorues: Rinon Arifi