Seanca e sotme nisi me probleme. Avokati Muhamet Humolli, që në këtë çështje penal mbron të akuzuarin Avni Llumnica, kërkoi të lirohet nga detyra. Kjo për shkak se ka qenë avokat i Nuhi Zekës në një çështje tjetër penale prandaj do të ishte konflikt interesi. Nuhi Zeka është i dëmtuar në një rast tjetër për të cilin akuzohet i pandehuri Avni Llumnica.
Trupi gjykues pas tërheqjes për konsultim, caktuan një avokat tjetër për t’i evituar shkeljet procedurale.
Me marrjen në pyetje ka vazhduar trupi gjykues i përbër nga kryetarja Naime Krasniqi Jashanica dhe gjyqtarët Vesel Ismaili dhe Valbona Musliu Selimaj.
Pyetet për librin e të pandehurit Murat Jashari, “Luftë e Pambaruar”, për të cilën i pandehuri Ramabaja thotë se ka pranuar ta redaktoj shkaku i mikut të tij Behadin Hallaqit i cili përmendet në bisedën mes Murat Jasharit dhe vëllaut të tij, e që ishte poashtu mik i Ramabajës.
Pohon se nuk qëndron prapa atij libri sepse ende nuk pajtohet për një pjesë të tij.
Në seancat e mëhershme i pandehuri Ramabaja ka thënë se për arrestimin është paralajmëruar nga një shok i studentëve të tij, të gjithë pjesë e AKI-së. Të njëjtin e kishte takuar në airoportin e Prishtinës. I’u kishte afruar Ramabajës dhe i kishte thënë se duhet të qëndroj për një kohë jashtë Kosovës sepse jeni në rrezik jete, të gjithë skenarët janë të hapur nga rasti i Astrit Deharit deri te vëllëzërit Kiçina, po përgatitet likuidimi juaj. Ende nuk e di nëse ka qenë proces i paralajmërimit apo i shantazhit.
Ramabaja mendon se i tërë ky proces është hakmarrje politike ndaj tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje për t’a shpallë Lëvizjen të jashtëligjshme. Përndryshe, nuk ka asgjë personale me Azem Vllasin dhe Hashim Thaqin.
Për Azem Vllasin thotë se ka informacione se është viktimë. Prokurori ka dhënë urdhër që posa të hyjë në Kosovë Murat Jashari, të arrestohet. Pasi nuk është respektuar ky urdhër, është plagosur Azem Vllasi dhe pret që gjatë shqyrtimit këtë t’a kuptoj.
Kur kryetarja e trupit gjykues interesohet për librin “Luftë e Pambaruar” e të pandehurit Murat Jashari dhe se titulli ishte propozuar nga Ramabaja, i njëjti thotë se lufta me Sërbinë de facto nuk ka mbaruar sepse një pjesë e Kosovës është e okupuar.
Kurse, për grupin “Syri i Popullit” thotë se nuk ka ekzistuar asnjëherë, është e krijuar nga Murat Jashari, person me probleme shëndetësore, prandaj edhe nuk duhet besuar.
Sipas aktakuzës, dyshohet se diku në një shtet evropian, si antarë të organizatës “Syri i Popullit” me të ashtuquajturit “Avni Rrustema”, kanë marrë vendim që në mars të vitit 2017 të fillojnë me aksione të kundërligjshme për t’a destabilizuar seriozisht situatën në vend, duke filluar nga vrasja e udhëheqësve të lartë të viteve ‘80, ‘90 e pastaj edhe liderët e tashëm, duke pasur për qëllim vrasjen e atyre që ata i quajnë tradhëtarë. Këtë aksion, gjithmonë sipas aktakuzës, e kanë filluar me Azem Vllasin i cili ka mbetur i plagosur.
Monitoruese Ermirë Januzi dhe Blendë Mjeku
Lajmet në fokus