Shtyhet seanca gjyqësore në rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK-ja, mungoi njëri i akuzuar

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

10:10 / 15 Tetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

15 Tetor 2019

Mungesa e të akuzuarit Fatmir Mjaku, ka bërë që të dështojë seanca ndaj të akuzuarve në rastin e arratisjes së Sami Lushtaku-t nga QKUKU-ja, raporton Drejtësia Sot.

Me të filluar seanca gjyqtari Shashivar Hoti, ka bërë të ditur se seanca e sotme do të shtyhet për shkak të mungesës së të akuzuarit Fatmir Mjaku, sepse i njëjti është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

“Jemi munduar përmes sekretares me ju njoftu përmes emailave por se di a i keni pranuar”, ka theksuar Hoti.

Seanca e radhës është ricaktuar për datë 21 tetor 2019.

Lushtaku po akuzohet nga Prokuroria Speciale se ishte arratisur nga QKUK-ja derisa po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”, raporton Drejtësia Sot.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, përveç Sami Lushtakut, akuzohen edhe Mërgim Lushtaku, Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Mervete Hasani-Lushtaku, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena.

Sipas aktakuzës në fjalë, ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale  si: arratisje e personit të privuar nga liria, pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare, si dhe për veprën penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.

Në aktakuzë thuhet se për arratisjen e Lushtakut nga  QKUK-ja akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Po ashtu me këtë aktakuzë, për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe këta persona: Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Ndërkaq, Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Më tutje, aktakuza thotë se, të akuzuarit Valon Behramaj, Argjent Behramaj, dhe Bashkim Dervisholli akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Kurse Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Ndërsa Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Përveç tjerash, Shatri e Gjoka, akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim të arratisjes për personat e privuar nga liria.

Si dhe Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, Ylber Blakaj akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Monitoruar nga Zanë BUÇINCA dhe Rinon ARIFI