Shtyhet përsëri gjykimi ndaj të pandehurve që akuzohen se kanë hyrë kundërligjshëm në sistemin e “Yahoos”

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

16:54 / 28 Tetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në gjykatën e Gjilanit, ishte caktuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurve L.I, L.SH  dhe L.M, të cilët po gjykohen për veprat penale “hyrje në sistemet kompjuterike”, “falsifikim i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës” ,“shmangie nga tatimi”, dhe veprës penale nga neni 13 par.3 dhe neni 15 par.1 të Ligjit mbi parandalimin e krimit kibernetik,  raporton “Drejtësia Sot”.

Mungesa e dëshmitarëve  H.K dhe A.B pati si pasojë shtyerjen e këtij gjykimi për datën 6 janar 2020 në ora 09:00. Ndryshe, për dëshmitarët në fjalë gjykata ka lëshuar urdhër për sjellje të detyrueshme mirëpo nga policia e Kosovës nuk ka ndonjë informatë për zbatimin e këtij urdhëri, njoftoi kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi.

Për më tepër, në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor ishte paraparë të dëgjohej eksperti i forenzikës kompjuterike  të cilin e ka propozuar Drejtoria e Teknikës Kriminalistike-Policia e Kosovës.

Mirëpo, pasi nuk janë siguruar të dhënat personale për ekspertin, prokurori Arben Kadriu, në seancën e sotme i propozoi gjykatës që të heq dorë nga dëgjimi i ekspertit në fjalë sepse siç tha prokurori, raporti i përpiluar i cili gjendet në shkresat e lëndës ëshë i saktë, i qartë dhe i njejti raport është analizuar nga eksperti i IT në Prishtinë.

Gjykata aprovoi propozimin e prokurorit Kadriu, ndërsa për seancën e rradhës u vendos që të përsëritet urdhri për sjellje me dhunë të dëshmitarëve.

Ndryshe, sipas aktakuzës së prokurorisë, dyshohet se të pandehurit nga viti 2007 deri më 04.08.2015, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, dhe me qëllim që t’i shkaktojnë dëm personave tjerë, kanë ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në kompjuterët e shfrytëzuesve të internetit kryesisht në SHBA përmes kompanisë Yahoo.

Të pandehurit akuzohen se kanë kopjuar të dhëna të ndjeshme si të dhëna për llogari bankare, dhe këto të dhëna i kanë krijuar në një server të veçantë të cilin e ka krijuar dhe menaxhuar i pandehuri L.I i cili i ka shitur të dhënat te personat e tjerë, dhe për shitjen e programeve keqbërëse ka pranuar pagesa nga shtetas të shteteve të ndryshme duke përfituar shumën prej rreth 73.000 mijë euro.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i pandehuri L.I akuzohet edhe për “shmangie nga tatimi” duke mos i deklaruar te hyrat në periudhën kohore prej 2012-2014 në biznesin i tij privat.

Sipas burimeve të “Drejtësia Sot”, lidhur me këtë rast janë sjellur dëshmi nga FBI.

Monitoruese: Ronita HALIMI