Rasti “Z-Mobile”, jep mbrojtjen Ejup Qerimi, ish Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Liridon Salihi

15:07 / 11 Tetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

Ejup Qerimi, ish Kryeshef Ekzekutiv në Postë-Telekomunikacion e Kosovës (PTK), ka dhënë mbrojtjen e tij para trupit gjykues në Departamentin e Krimeve të Rënda, ku i njejti po gjykohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I pandehuri Qerimi, ka deklaruar se i mohon të gjitha pikat e aktakuzës sipas të cilës, në përiudhen kohore prej 24.02.2012 deri më datë 01.10.2014, duke shfrytëzuar pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në PTK, i ka shkaktuar dëm kompanisë “Dardafon.net” LLC (tash Z-Mobile), kur me dashje nuk ka respektuar kontratën e lidhur mes këtyrë dy operatorëve ekonomik.

Tutje, gjatë mbrojtjës së tij, theksoi se sa i përket akuzës për mos dhënien e shërbimeve 3G dhe 4G, në kohën kur ka qenë i punësuar në PTK, kjo kompani nuk i ka pasur të lansuara në treg as për konsumatorët e vet.

Lidhur me liferimin e sim-kartelave, z.Qerimi tha se asnjëherë nuk ka pasur vonesë në dhënien e këtij shërbimi dhe për ҫfardo porosie që ka ardhur nga ana e “Dardafon.net” LLC, të njejtën e kemi furnizuar nga “Monako Telekom”, me të cilin PTK ka pasur kontratë për shfrytëzimin e 2 milion numrave me prefix +377.

Për shfrytzimin e këtij numeracioni, PTK ishte e detyruar të paguaj qera vjetore, kurse nga kjo shifër, 200 mijë numra ishin bartur me kontratë te “Z-Mobile”, më datë 16.01.2009.

Mosmarrëveshjet e para kanë filluar në vitin 2012, lidhur me atë se qeranë për këta 200 mijë numra, PTK ia kishte faturuar për “Z-Mobile”, ndërsa kjo e fundit edhe pse në takim me zyrtarët e Postës ishte pajtuar ta paguaj borxhin, më vonë e kishte kontestuar një gjë të tillë.

Poashtu, për akuzën që ka të bëj me mos furnizimin me bllokun e numeracionit +377457XXXXX, i pandehuri Qerimi theksoi se i njejti me vendimin 381 të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), është rezervuar për “Z-Mobile”.

Vendimi i ARKEP-it ishte zbatuar edhe pse PTK e ka konsideruar të jashtë ligjshëm, duke inicuar kështu edhe konflikt administrativ pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, më datë 16.08.2013.

Sipas Ejup Qerimit, të gjitha pikat e dispozitivit, me të cilën e ngarkon aktakuza, janë të pabaza dhe se në asnjë moment nuk ka të bëj më veprimet inkriminuese të pretenduara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Kujtojmë që për të njejtën ҫështje penale janë duke u akuzuar edhe Agron Mustafa dhe Rexhë Gjonbalaj.