Në Gjykatën Themelore në Prizren, filloi shqyrtimi gjyqësor kundër të akuzuarit Enver Sezair Bytyqi, i lindur më 03.02.1961 në Prizren. I njëjti po gjykohet për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton “Drejtësia Sot”.
Ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Enver Bytyqi sipas aktakuzës akuzohet se nuk ka marrë veprim për rrënim të një objekti ndërtimor pa leje në një lagje të Prizrenit. Kështu, ai nuk ka përfillur Ligjin për ndërtim të Republikës së Kosovës dhe detyrat e përgjegjësitë e tij të përcaktuar në vendimin e emërimit.
Në fillim të këtij shqyrtimi gjyqësor, pasi që prokurori i shtetit Mehdi Sefa lexoi aktakuzën, i akuzuari Enver Bytyqi edhe një herë deklaroi se nuk e ndien veten fajtor për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Tutje, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me fjalën hyrëse të Prokurorit të Shtetit dhe palës mbrojtëse, e cila paraqiti disa propozime për dëgjim të dëshmitarëve në këtë shqyrtim gjyqësor.
Prokurori Sefa në fjalën hyrëse deklaroi se aktakuza është e bazuar në prova të mjaftueshme dhe ligjore, me të cilat provohet fajësia e të akuzuarit. Ai shtoi se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe pas administrimit të këtyre provave, gjykata duhet të sjellë aktgjykim dënues kundër të akuzuarit Enver Bytyqi.
Në anën tjetër, Enver Bytyqi përmes mbrojtësit të tij avokati Arben Shala deklaroi se nga aktakuza nuk provohet se vepra penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar është kryer nga i akuzuari. Në vijim, ai theksoi se kjo Gjykatë pas administrimit të provave, duhet të nxjerrë vendim për hedhje të aktakuzës dhe ta pushoj procedurën penale.
Gjithashtu, avokati Shala propozoi që në këtë çështje penale si dëshmitar të thirren për t’u dëgjuar ish-Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja dhe disa zyrtar tjerë në Komunën e Prizrenit.
Këtë propozim e refuzoi prokurori Sefa, duke theksuar se të njëjtit nuk kanë ndonjë rëndësi dhe ndikim në zbardhjen e rastit konkret dhe si pasojë e kësaj Gjykata nuk duhet të pranoj propozimin e tillë.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Rahima Elezi, mori vendim që propozimin e avokatit Shala ta aprovoj dhe që në shqyrtimet e ardhshme të ftohen në cilësi të dëshmitarit ish-Kryetari Muja dhe zyrtarët tjerë komunal, të cilët u propozuan nga pala mbrojtëse.
Pas kësaj, gjyqtarja Elezi mori vendim që të ndërpres shqyrtimin gjyqësor, i cili do të vazhdoj më datë 01.11.2019 në ora 09:45 dhe 14.11.2019 në ora 09:00, në të cilin do të dëgjohen dëshmitarët e propozuar.
Vlen të theksohet se përpos Enver Bytyqit, në këtë rast i pandehur ka qenë F.H., i cili gjatë shqyrtimit fillestar ka pranuar fajësinë për veprën penale heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave, të cilin gjykata e ka gjykuar në mënyrë meritore.
Sipas aktakuzës së datës 19.04.2019 të Prokurorisë Themelore në Prizren, inspektori Enver Bytyqi në periudhën kohore 2016-2017 si person zyrtar, duke keqpërdor detyrën zyrtare, vepron në atë mënyrë që shkelë Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni mëhallë” nga investitori NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar F. H., me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin. Kështu, inspektori Bytyqi akuzohet se vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit duke mos sjellë konkluzion për rrënimin e objektit pa leje.
Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas Kodit Penal të Kosovës. (Drejtësia Sot).
Monitorues: Uran ZOGAJ
Lajmet në fokus