Gjykata Themelore në Prizren, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji katër të pandehurve L.B., A.B., F.B. dhe F.SH. nga Suhareka, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi” në bashkëkryerje sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Masa e paraburgimit ndaj të pandehurve do të llogaritet prej datës së arrestimit, 22.10.2019 dhe do të zgjasë deri më datën 21.11.2019, raporton “Drejtësia Sot”.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren, gjyqtari i procedurës paraprake Artan Sejrani, mori vendim që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre në procedurë.
Kundër të pandehurve ekziston dyshimi i bazuar se për vete apo personin tjetër kanë pranuar ose kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, të banimit, varfërinë, papërvojën ose aftësinë për të gjykuar të personave tjerë që ka rezultuar me humbje financiare ose kanë realizuar dobi pasurore në shumë mbi 25,000 euro.
Gjithashtu, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, përdorin forcën apo kanosjen serioze për t’i detyruar personat tjerë, në këtë rast të dëmtuarit që të kryejnë veprim në dëm të pasurisë së tyre që ka rezultuar me dobi pasurore në shumën që i tejkalon 10,000 euro.
Ndaj të pandehurve ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi” në bashkëkryerje dhe janë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara ligjore për caktim të masës së paraburgimit, arsyetohet vendimi i Gjykatës Themelore në Prizren.
“Drejtësia Sot” ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast, që nga arrestimi i katër të dyshuarve për fajde dhe detyrim në rajonin e Suharekës.
Monitorues: Uran ZOGAJ
Lajmet në fokus