Gjykata Themelore në Mitrovicë , ka marr aktgjykim lirues ndaj ish-menaxherit të zyrës së prokurimit të spitalit “Sheikh Zayed”, në Vushtrri, Mujë (Ahmet) Ferati, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Tomisllav Petkoviq, në praninë e të akuzuarit Ferati, raporton Drejtësia Sot.
Ferati, akuzohej se në vitin 2013, në cilësinë e menaxherit të zyrës së prokurimit, tani drejtorit të spitalit “Sheikh Zayed”, në Vushtrri, nuk kishte ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj operatorit ekonomik “Kosova Med”, e cila ishte vonuar tetë ditë në dorëzimin e pajisjeve mjekësore, me ç’rast spitali ishte dëmtuar në vlerë prej 1.187.60 euro.
Gjyqtari Petkoviq, ka deklaruar se nuk është vërtetuar se i akuzuari Ferati ka kryer një vepër te tillë penale.
Ai ka thënë se nga ana e prokurorisë nuk është bërë ekspertiza financiare në mënyrë që kjo çështje të jetë më e qartë për gjykatën.
Lidhur me shpenzimet gjyqësore, gjyqtari Petkoviq ka njoftuar se bien në barrë të gjykatës.
Poashtu, gjykata ka njoftuar se kërkesë pasurore juridike nuk ka pasur, kurse, lidhur me ankesën, gjyqtari Petkoviq e ka njoftuar prokurorinë se ka të drejtë ankese brenda afatit ligjorë.
Aktakuza e 24 gushtit 2017, të akuzuarin e ngarkon me veprën penale “ Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndryshe sipas aktakuzës i akuzuari ne cilësinë e menaxherit në zyrën e prokurimit të spitalit “Shekih Zayed”, në komunën e Vushtrrisë duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitoj dobi pasurore kompania operatore “Kosova Med”, nga Prishtina e cila ishte vonuar tetë ditë në dorëzimin e pajisjeve mjekësore, me ç` rast spitali ishte dëmtuar në shumë prej 1 mijë e 187 euro e 60 cent.
Me këtë po akuzohej se ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Monitorues Egzon MUSA dhe Edita KOLIQ
Lajmet në fokus