Mungesa e avokatit Ahmet Gjinovci, ka bërë që në Gjykatën Themelore të Gjilanit të mos mbahet seanca gjyqësore ndaj B.Rr, i akuzuar për dy vepra penale dhe atë: “Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti”, raporton Drejtësia Sot.
Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtari Zyhdi Haziri, ishte paraparë që të procedohet me marrjen në pyetje të të akuzuarit B.Rr, por meqenëse mbrojtësi i tij avokati Gjinovci kishte njoftuar se ka rast vdekje, bëri që kjo seancë të mos zhvillohet fare.
Pas këtij momenti, i pandehuri B.Rr, u deklarua që nuk dëshiron të zhvillohet seanca pa mbrojtësin e tij, andaj u vendos që gjykimi për këtë rast të shtyhet për datë 13 Nëntor 2019.
Sipas aktakuzës së Prokorisë Themelore të Prishtinës, B.Rr, akuzohet se duke qenë ndihmës referent i zyrës për ekzekutime në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka keqpërdorur pozitën e tij ku me qëllim të përfitimit pasuror, me dashje, ka kërkuar dhe marrë ryshfet nga personi me emrin A.S, i cili ishte i akuzuar në një lëndë penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Aktakuza sqaron se, i pandehuri B.Rr, paraprakisht kishte kontaktuar me telefon dhe ishte takuar dy herë me të dëmtuarin A.S, ku ia kishte marrë 20 euro, me premtimin që do të bisedoi me gjyqtarin e lëndës për ta liruar atë nga akuza.
Drejtësia Sot, njofton se hetimet për këtë rast janë ndërrmarë që nga data 21.02.2019 dhe në bazë të tyre është ngritur aktakuzë më datë: 08.04.2019.
Monitorues, Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus