Me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Istref Dragusha, avokatit Fis Murati, do të dëgjohet përsëri eksperti financiar Mentor Prekazi në çështjen penale ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrëz zyrtare përveç Istref Dragushës janë edhe gjashtë persona tjerë.
Këtë vendim e morri kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi, në seancën e mbajtur të martën në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi që avokati në fjalë këtë propozim e arsyetoi me faktin se rishtazi ka marrë autorizimin për përfaqësim, dhe kur është marrë në pyteje ky ekspert i mbrojturi i tij nuk e ka ditur rëndësinë e ekspertizës, andaj nuk i ka parashtruar pyetje atij.
Seanca e radhës ku do të dëgjohet përsëri eksperti Mentor Prekazi, u caktua më datë 3 dhjetor me fillim nga ora 9:30.
Abdurrahim (Murat) Avdyli i lindur më 1976, Amir (Haki) Demolli i lindur më 1975, Arsim (Hamit) Leci i lindur më 1978, Ejup (Ramush) Gashi i lindur më 1969 dhe Istref (Qerim) Dragusha i lindur më 1969, po akuzohen se si vozitës në AKP kishin siguruar fatura fiktive për derivatet e automjeteve zyrtare të AKP-së me qëllim të përfitim të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Së bashku me zyrtarët e këtij institucioni, të akuzuar janë edhe dy punëtorët e “Fer Petrol” Nexhat dhe Petrit Gjoka, nën dyshimin se si punëtor të kësaj pompe kanë ndihmuar të lartëcekurit në kryerjen e ketëyre veprave penale.
Sipas aktakuzës, këta persona derisa ishin duke e kryer punën e vozitësit, me qëllim të përfitimit pasuror në mënyrë të kundërligjshme, kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që kanë siguruar fatura fiktive për derivatet e automjeteve zyrtare të AKP-së. Të akuzuarit dyshohet së kanë prezentuar fatura fiktive gjoja për mbushje me derivate edhe në ditët e vikendit dhe gjatë festave zyrtare, edhe pse ky institucion nuk ka punuar fare.
Më tutje sipas prokurorisë, dyshohet se këto fatura i kanë paraqitur para anëtarëve të komisionit për verifikimin e faturave për furnizimin me derivate, që në menyrë rotative si anëtar kanë qenë secili prej tyre.
Kujtojmë se ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me datë 28 korrik 2018, pasi sipas saj aktgjykimi i shkallës së parë ishte i paqëndrueshëm, i pakuptueshëm dhe i mangët dhe se nuk ishte kryer ekspertiza financiare, nga e cila do të konstatohej dëmi i shkaktuar AKP-së.
Gjykata Themelore në Prishtinë, me 18 prill 2017, të akuzuarit Abdurrahim Avdyli, Petrit dhe Nexhat Gjoka, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “keqpërdorim i besimit”, dhe secilit veç e veç i kishte shqiptuar dënim më gjobë në shumë prej 2.000 euro. Ndërsa, të akuzuarit Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza.
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus