Gjykata Themelore e Prishtinës i ka liruar nga akuza ish drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.
Në vendimin e shpallur nga gjyqtari Lutfi Shala thuhet se: “Pas procedimit të provave materiale, dëgjimit të dëshmitarëve dhe vlerësimit të tyre një nga një dhe duke i ndërlidhur reciprocikisht një nga një, gjykata gjeti se të njëjtit nuk kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen nga prokuroria”, raporton Drejtësia Sot.
Qerimi, Mustafa e Gjonbalaj, akuzoheshin nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së.
Kundër këtij vendimi pala e paknaqur mund të ushtroj ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Ejup Qerimi në fjalën përfundimtare ka deklaruar se e ndjen vetën të pafajshëm dhe kërkon nga Gjykata që të merr aktgjykim lirues, pasi që kjo aktakuzë është e pabazuar në dispozita ligjore.
Edhe mbrojtja e të pandehurit Agron Mustafa, deklaroi se asnjë pikë e aktakuzës nuk ka mund të provohet në këtë shqyrtim gjyqësor.
Ndërsa i akuzuari Rexhë Gjonbalaj, në fjalën përfundimtare theksoi se aktakuza është e pabazë dhe se për veprimet inkriminuese për të cilat akuzohet, absolutisht e ndjen veten të pafajshëm.
Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.
Sipas prokurorisë, me këto veprime janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.
Tutje sipas aktakuzës thuhet se: Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.
Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro, dhe 65.000 funta.
Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.
Ejup Qerimi akuzohet se gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtarë nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër.
Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që të i shkaktoj dëme materiale dikujt tjetër.
Me këto veprime të akuzuarit Qerimi, Mustafa dhe Gjonbalaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Monitoruar nga Zanë BUҪINCA dhe Liridon SALIHI
Lajmet në fokus