Sot në Gjykatën Themelore të Pejës, i akuzuari Nysret Shala, ka pranuar që duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme e ka goditur me thikë të dëmtuarin L.G.
Në seancën e sotme mungonte mbrojtësi sipas autorizimit i të akuzuarit, avokati Hasan Jashari, ai nuk ishte i pranishëm edhe përkundër faktit që ishte ftuar në mënyrë të rregullt. Prandaj i pandehuri Shala, në mënyrë që të mos shtyhet seanca e revokoi autorizimin ndaj tij dhe kërkoi nga gjykata që ti caktohet një mbrojtës tjetër sipas detyrës zyrtare.
Vlen të theksohet se në seancën fillestare të mbajtur më datë 15 gusht të këtij viti i akuzuari nuk e kishte pranuar fajësinë.
Pasi gjyqtarja Lumturje Muhaxheri, i’a ofroi mundësinë që të deklarohet sërish rreth fajësisë i akuzuari Nysret Shala, pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën e ngarkon akuza. I njëjti, deklaroi se ndjen keqardhje për veprimet e tij dhe shtoi se janë pajtuar me palën e dëmtuar më ç‘rast i kanë paguar dëmshpërblimin në të holla prej 7500 euro.
Ne deklarimin e saj rreth pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit, prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, deklaroi se “Pajtohem me pranimin e fajësisë, meqenëse një pranim i tillë është i bazuar edhe në provat në të cilat është ngritur akuza, shtuar këtu edhe faktin që të dy familjet tashmë janë pajtuar e këtë e provon edhe raportin shtesë e stacionit policor në Klinë mbi deklaratat e pajtimin mes familjeve, andaj i propozoi gjykatës që ta aprovoj këtë pranim fajësie”.
Me tutje mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Qëndresa Lajqi, në fjalën e saj i propozoi gjykatës që me rastin e shqiptimit të dënimit pranimin e fajësisë së të mbrojturit të saj ta marrë parasysh si rrethanë lehtësuese.
Në fund, gjykata mori aktvendim përmes të cilin aprovohet pranimin i fajësisë ndaj të akuzuarit Shala dhe i njofton palët që shpallja e dënimit do të bëhet më datë 7 tetor 2019 në ora 13:00.
Sipas aktakuzës së ngritur me 6 qershor të këtij viti, i akuzuari Nysret (Sabit) Shala, i lindur me 20.12.2000, duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin L.G. Mosmarrëveshja kishte filluar për shkak të ngacmimeve me fjalë që i akuzuari Nysret i kishte bërë ndaj vajzës së axhës të të dëmtuarit L.G.
Me pas i dëmtuari L.G, e sulmon i pari fizikisht të akuzuarin i cili duke u ndjerë i rrezikuar gjatë përleshjes e godet të dëmtuarin më thikë në stomak.
Monitoruese: Blerta KELMENDI
Lajmet në fokus