I akuzuari për tentim vrasje nuk pranon të mbahet gjykimi pa avokatin e tij

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

15:22 / 17 Tetor 2019
[supsystic-social-sharing id="1"]

I akuzuari T.A në gjykatën e Gjilanit po përballet me akuzat për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “lëndim i lehtë trupor”, raporton Drejtësia Sot.

Lidhur me këtë rast, sot ishte paraparë të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor dhe të dëgjohen dëshmitarë, mirëpo ky gjykim është shtyrë për datën 26 nëntor 2019. Arsyeja e shtyerjes së gjykimit ishte se i akuzuari T.A nuk pranoi të mbahet gjykimi pa prezencën e avokatit të tij Shemsedin Pira.

Kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi bëri të ditur se avokati Pira e kishte lajmëruar paraprakisht se gjendet në një rast tjetër ne gjykatën e Pejës.

Ndyshe, të akuzuarin T.M, gjykata e Gjilanit me 21 dhjetor 2019 e ka shpallur fajtor për veprën penale “lëndim i lehtë trupor në vazhdim” duke i shqiptuar dënim me burg prej 180 (njëqindetetëdhjetë) ditëve si dhe dënim plotësues konfiskimi i armës-mjetit të mprehtë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit në bazë të ankesës së prokurorisë së Gjilanit, e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë kështu duke e kthyer çështjen në rigjykim dhe rivendosje në të njejtën gjykatë.

Ndër të tjera, në aktvendimin e Gjykatës së Apelit të cilin e ka siguruar “Drejtësia Sot”, thuhet se gjykata e Gjilanit gjatë shqyrtimit gjyqësor i ka vlerësuar gabimisht provat kur e ka rikualifikuar veprën penale nga “vrasje në tentativë” në veprën penale “lëndim i lehtë trupor në vazhdim”.

Për më tepër, vërejtjet e Gjykatës së Apelit konsistojnë edhe në ndërhyrjen e gjykatës së shkallës së parë në dispozitivin e aktakuzës, në përpilimin e aktgjykimit kundërthënës, si dhe në emërtimin ligjor të veprës penale “lëndim i lehtë trupor”.

Ndryshe, në aktakuzën e ngritur nga prokuroria, T.A akuzohet për dy vepra penale “vrasje në tentativë” dhe “lëndim i lehtë trupor”. Tutje aktakuza sqaron veprimet e T.A i cili pas një mosmarrëveshje, me 29 prill të vitit 2017 në komunën e Vitisë personin me inciale V.M e ka goditur me brisk prej 9 cm në regjionin e shpindës dhe gjoksit. Gjithashtu i akuzuari T.A të njejtën ditë me të njejtin brisk e ka goditur personin tjetër E.M në regjionin e krahut të majtë.

Monitoruese: Ronita Halimi