Sot i akuzuari Fitim Konushevci, pranoi qe kishte poseduar narkotikë në Qendrën Korrektuese të Dubravës, por sipas tij këtë nuk e kishte bërë me dëshirë, raporton “Drejtësia Sot”.
Në hapje të shqyrtimit fillestar, gjyqtarja Violeta Husaj- Rugova, e ftoi prokuroren Valbona Disha-Haxhosaj, për leximin e aktakuzës.
Pas leximit të aktakuzës, gjyqtarja e ftoi të akuzuarin Konushevci, që të deklarohet rreth fajësisë.
Para se te deklarohet për fajësinë i akuzuari deklaroi se dëshiron ta shfrytëzoj të drejtën e konsultimit më avokatin e tij mbrojtës.
Pas konsultimit, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, mirëpo theksoi se ka qenë i detyruar ta mbante pakon e cigareve në të cilën kishte substancë narkotike, duke shtuar se e ka treguar në prokurori identitetin e personit që e kishte shtyrë për këtë veprim.
Ndërsa në fjalën e saj, prokurorja Disha-Haxhosaj, theksoi se në këtë rast nuk kemi pranim fajësie dhe lidhur më këtë rast do të vazhdohet më shqyrtimin gjyqësor.
Në fund gjyqtarja Husaj- Rugova, me aktvendim refuzoi pranimin e fajësisë, dhe njoftoi të pandehurin se ka të drejtë të paraqes kundërshtimet, brenda afatit ligjor, me ç’rast edhe caktoi shqyrtimin e dytë, me datë 20 nëntor 2019, ora 10:00.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës, e ngarkon se akuzuarin Fitim Konushevci, i lindur me 12.04.1992, në Podujevë, se me datën 20.07.2019, në Qendrën Korrektuese-Dubravë, pa autorizim ka poseduar substanca narkotike. Të i njëjti pas kontrollimit nga oficeri korrektues është gjetur një pako e cigareve në brendi të së cilës kishte 0.4 gram marihuanë.
Monitoruese: Blerta Kelmendi, Selvije Morina
Lajmet në fokus